2008-02-20 12:20:09

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji foli në Parlamentin Europian për Kosovën


(20.2.2008 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji në Parlamentin Europian mbajti kumtesë për Kosovën
Dje në orët e mesditës, siç është lajmëruar për media edhe dje, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ka mbajtur një kumtesë në një ndër sallat e Parlamentit Europian, ku euro-deputetet e pranishëm u njoftuan mbi pikëpamjet e Kishës Katolike në Kosovë dhe arsyen pse Kisha i jep mbështetje Pavarësisë së Kosovës.
Drejtuesi i kësaj seance Dr. Ingo Fridrich, vlerësoj lart paraqitjen që bëri Imzot Dodë Gjergji dhe pikëpamjet e tij në lidhje me Kosovën. Pas kumtesës së Ipeshkvit u zhvillua një debat domethënës. Në njërën anë, në debat, konfirmohej dhe mbështetej pozicioni i ri i Kosovës, e në anën tjetër, po i njëjti pozicion vihej në dyshim.
Në debat mbizotëruan dy tematika; a) ajo mbi mundësin e radikalizmit islamik, sidomos tek gjeneratat e reja, dhe b) frika nga mundësia e krijimit të Shqipërisë së madhe.
Në pyetjen e parë Imzot Dodë Gjergji sqaroj se nuk e mohon praninë e kësaj dukurie në Kosovë, por ai siguroi të pranishmëve se ajo dukuri nuk do të ketë fushë veprimi, sepse si pushteti civil ashtu edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të lejojnë që të ndodhë një gjë e tillë. Unë mund të them – potencoi ipeshkvi – se një fenomen i këtillë mund të vërehet më shumë në Vjenë e në Munih se sa në Prishtinë.
Në pyetjen mbi Shqipërinë e madhe, ai u përpoq të mbetet në pozicionin se nuk dëshiron të politizohet kjo çështje, por dëshmoi se të gjithë shqiptarët jemi një komb, kurse tani po krijohet një identitet i ri politik i qytetarëve të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme Ipeshkvi pati një agjendë të ngjeshur të takimeve me personalitete të shumta të niveleve të ndryshme të Parlamentit Europian, nga të cilët mori urime dhe mbështetje për të ardhmen e Kosovës dhe njohjen e saj.
Njofton Kurie Ipeshkvnore e Prizerenit







All the contents on this site are copyrighted ©.