365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(20.02.2008 RV)20 shkurt: Rekaredi,
mbreti i parë katolik i Spanjës Të gjunjëzuar para Kryqit, gjyshi e nipi po
përfundojnë uratët e mbrëmjes. “O Zot, bekoje familjen tonë e shtëpinë tonë. Me
mirësinë tënde, kujtohu për vendin tonë të ndritshëm, Spanjën. Bëj që të mbetet gjithnjë
i shenjtë e i krishterë! Amen”. Pa e mbaruar mirë lutjen, Alderiku kthehet nga
i gjyshi dhe e pyet mendueshëm: “Babagjysh, pse i lutesh gjithnjë Zotit ta ruajë
Spanjën të shenjtë e të krishterë? Ke frikë, ndoshta se mund të ndërrojë rrugë? “Shiko,
vogëlushi im, Spanja ka përshkuar një udhë të gjatë e të vështirë për t’u bërë e krishterë.
Lutem që grindjet fetare të së kaluarës, të mos përsëriten kurrë më.”. “Më trego
të lutem, ç’janë këto grindje? Ç’ka ndodhur në Spanjë, para se vendi të bëhej i krishterë?”. “Shumë
kohë më parë vendi ynë ishte i pushtuar nga vizigotët, popull barbar, i ardhur nga
lindja. Vizigotët ishin arianë, dmth nuk pranonin se Jezusi është Hyj, ashtu si Ati
qiellor. Për këtë arsye grindeshin papushim me fqinjtë e tyre të krishterë, frankët
e bizantinët. E jo më pak, edhe me njëri-tjetrin. S’linin rast pa shfrytëzuar për
t’i fyer, për t’i poshtëruar e për t’i dhunuar të krishterët. Madje edhe për t’i vrarë,
kur mundnin. Tregojnë se një ditë mbreti arian, Amalariku, dha urdhër që e shoqja
të mbulohej me llum e me plehra nga koka në këmbë para të gjithëve, vetëm pse kishte
guxuar të shkelte në një kishë të krishterë”. Nipit të vogël, ulur këmbëkryq përballë
gjyshit, nuk i shpëton asnjë fjalë nga kjo histori tërheqëse. “Spanja duhej të
priste mbretin Rekaredo, për t’u bërë e krishterë – vijon gjyshi –por edhe ai s’e
pati të lehtë ta bënte gjithë popullin për vete e ta kthente në fenë e Krishtit. Rekaredo
ishte arian, ashtu si të parët e vet, por qe prekur thellë nga kthimi i të vëllait,
Ermenexhildit edhe i të jatit, Leovixhildit, në fenë e krishterë. Në vitin 587 u kthye
edhe ai vetë, por fshehurazi, sepse kjo kthesë mund t’i krijonte probleme të rënda
në drejtimin politik të mbretërisë. Në se mbreti i ri do të deklaronte haptas se ishte
i krishterë, do të humbiste menjëherë mbështetjen e vizigotëve arianë. Ndërsa po të
vijonte ta fshihte për një kohë tepër të gjatë kthimin e tij në kristianizëm, të krishterët
spanjollë mund të bashkoheshin me armiqtë e Spanjës e ta rrëzonin nga froni. Mbreti
i krishterë ndodhej mes dy zjarresh, që mund ta bënin hi e pluhur jo vetëm atë, por
edhe Spanjën. Për më tepër, shumë nga të krishterët kishin ndikim të madh politik:
largimi i tyre do të shkaktonte, pa asnjë dyshim, fundin e sundimit të Rekaredos.Siç
po e shikon edhe ti vetë, vogëlushi im, mbreti Rekaredo ishte në një mëdyshje të tmerrshme:
iu desh guxim tepër i madh politik e shpirtëror, për të deklaruar haptas para popullit
kthesën e tij e për ta bërë edhe atë të krishterë. Po Zoti ia shpërbleu këtë guxim:
pak nga pak feja e re e bëri Spanjën t’i harrojë grindjet e vjetra, e bashkoi dhe
e fuqizoi, sepse bashkimi bën fuqinë!