2008-02-19 17:39:19

365 giorni con personaggi ed eventi che hanno cambiato il mondo


(19.02.2008 RV) RealAudioMP3 19 shkurt: Kolombani, që rigjeti rrugën e Zotit, pasi kishte vepruar në mënyrë të palejueshme për një meshtar.
“Jam i pafalshëm!”, mendon me vete Kolombani, ndërsa ecën pa cak kodër në kodër. Për të peizazhi i Irlandës, ishullit ku u lind, është më i bukuri në botë. Por sot, i zemruar siç është me vetveten, nuk mund ta shijojë as shëtitjen. E ç’ka bërë, që është tërbuar kaq keqas? Bashkëkohasit e tij do të thoshin: “S’ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, veç një beteje të madhe!”
I kushëriri, mbreti i pabesë Diarmedi e dënoi me vdekje për vjedhjen e disa dokumenteve të çmuara. Po Kolombani nuk i ra në dorë. S’ priti ta kapnin e ta vrisnin, po iku nga burgu, mblodhi një ushtri të madhe e i shpalli luftë Diarmedit. Shumë gjak i krishterë u derdh në këtë betejë, nga e cila Kolombani doli fitimtar. Jemi në vitin 563, epokë në të cilën fjala e parë i takon dhunës. Fiset e ndryshme ndeshen vazhdimisht njëri me tjetrin. Prandaj njerëzit mendojnë se Kolombani nuk ka bërë ndonjë gjë të pazakontë. Në se kjo punë nuk do të kishte një kleçkë, të madhe madje… Ai është meshtar. E natyrisht as mund të mendohet që njeriu i Kishës të sillet në këtë mënyrë. Kolombani e pranon i pari se ka gabuar. “E pabesueshme që njeriu i pjekur, 42 vjeçar, pas 20 vjet meshtarie, të bëjë një hata të tillë” – thotë me vete, ndërsa endet si i shituar kodrinave. E të mendosh se ka themeluar 17 kuvende e se beson me gjithë zemër në Zotin.
Pak kohë më vonë Kolombanit i vjen lajmi i shkishërimit. E shkishërimi është dënimi më i rëndë që u jep Kisha të krishterëve, të cilët veprojnë në kundërshtim të plotë me parimet e fesë së tyre. Ta shkishërosh një njeri, do të thotë ta përjashtosh nga radhët e Kishës. Është tragjedi për cilindo, aq më tepër për një meshtar. Megjithatë Kisha i krijon Kolombanit mundësinë ta shpërblejë këtë mëkat kaq të rëndë: - shkishërimi do të anulohet, në se ai do t’ia kushtojë ç’i ka mbetur nga jeta veprimtarisë për kthimin e paganëve në fenë e Krishtit. “Në se do t’i shtosh radhëve të Kishës një numër paganësh të barabartë me atë të të krishterëve që u vranë për faj tënd, mund të kthehesh përsëri mes nesh!” – ky është vendimi përfundimtar.
Kolombani nuk pret t‘ia thonë dy herë. Niset me anijen më të parë për në Kalçedoni, fare pranë Irlandës. Sot Kalçedonia quhet Skoci: është zona që shtrihet në veri të Britanisë. Në kohën e Kolombanit Irlanda ishte krejtësisht e krishterë, falë veprimtarisë ungjillëzuese të Shën Patrikut, ndërsa në Skoci askush nuk kishte shkelur deri në atë kohë për të çuar Fjalën e Krishtit.Tani Kolombani përpiqet me të gjitha forcat ta përhapë krishtërimin, e jo ta dëmtojë. Që nga ky ças e deri në fund të jetës kthen në fenë e krishterë një numër shumë të madh skocezësh. E ja, më në fund, Kisha e fal. Madje, pas vdekjes, e shpall edhe shenjt. Kjo tregon qartë se gabimi mund të ndreqet: i krishteri ka gjithnjë mundësi të bëjë kthesë, të pendohet, të përmirësohet, madje edhe të shenjtërohet! Asnjë gabim, sado i rëndë që të jetë, nuk mund ta dënojë për jetë. Rruga drejt qiellit është e hapur: në se e ke humbur e dëshiron ta rigjesh, mjafton të ecësh, me Kolombanin, pas Krishtit!







All the contents on this site are copyrighted ©.