2008-02-18 17:02:11

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: ta dëgjojmë e ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit, për të hyrë në jetën e pasosur.


(18.02.2008 RV)Për të hyrë në jetën e pasosur duhet ta dëgjojmë Jezusin, ta ndjekim në udhën e Kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si ai, shpresën e ringjalljes. Këtë theksoi dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI i cili, të shtunën e kaluar, përfundoi në Vatikan javën e Ushtrimeve shpirtërore për Kohën e Krezhmëve, me pjesëmarrjen edhe të Kuries Romake. Në shesh ishin të pranishëm mijëra besimtarë, ardhur nga mbarë bota për lutjen mariane, në një ditë të acartë dimërore, ndonëse plot diell. Papa bëri thirrje për pajtimin në Liban, vend i cili që prej tre muajsh nuk arrin dot të zgjedhë kryetarin e shtetit.
Duke pasur parasysh leximet biblike, Ati i Shenjtë lidhi Ungjillin e së dielës së parë të Krezhmëve, që flet për tundimet e Jezusit, me Shndërrimin e Krishtit mbi mal, të ungjillit të djeshëm, episode në të cilat ndjehet fuqimisht misteri i Pashkëve:
Lufta e Jezusit me tunduesin i paraprin duelit përfundimtar të Mundimeve, ndërsa drita e korpit të tij të shndërruar përshpejton lumninë e Ngjalljes. Nga njëra anë shikojmë Jezusin plotësisht njeri, që pëson edhe tundimin, si na; nga ana tjetër, kundrojmë Birin e Hyjit, që e hyjnizon natyrën tonë njerëzore. Mund të themi kështu se këto dy të diela janë si dy shtylla, mbi të cilat mbështetet gjithë ngrehina e jetës së krishterë, thelbi i së cilës është dinamizmi i Pashkëve, kalimi nga vdekja në jetë”.
Mali – Tabori, ashtu si Sinai – nënvizoi Papa – është vendi në të cilin njeriu e ndjen veten shumë më pranë Zotit, sesa në jetën e përditshme. Është maje mali, ku mund të thithësh ajrin e pastër të krijimit:
“Shndërrimi është ngjarje që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “Ai është Hy, Dritë prej Drite”.
Veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen në pagëzim, parashijim i jetës qiellore:
“Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”.
Papa kujtoi, më pas, zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”:
Për të hyrë në jetën e amshuar duhet dëgjuar Jezusi, duhet ndjekur në udhën e kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si Ai, shpresën e ringjalljes. “Spe salvi’, ‘të shpëtuar nga shpresa”. E sot mund të themi: “Të Shndërruar nga shpresa”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI shprehu shqetësimin e tij për situatën e tensionuar në Liban, vend i cili që prej tre muajsh nuk ia del mbanesh të ketë një kryetar shteti. Përpjekjet për të dalë nga kriza dhe ndihma që kanë ofruar përfaqësues të rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare – nënvizoi Papa – ndonëse nuk është arritur akoma asnjë rezultat, tregojnë se nuk mungojnë përpjekjet për të gjetur një president, që të jetë i tillë për të gjithë libanezët e për t’i kapërcyer përçarjet e sotme:
“Për fat të keq, nuk mungojnë as arsyet që të shtyjnë të shqetësohesh, posaçërisht për shkak të dhunës, e cila ushtrohet jo vetëm me fjalë, por edhe me qëndrimin e atyre të cilët e mbështesin gjithë shpresën në forcën e armëve e në zhdukjen fizike të kundështarëve. Së bashku me Patrikun maronit dhe të gjithë ipeshkvijtë libanezë, ju ftoj të bashkoni zërin në lutjen time drejtuar Zojës së Libanit, që t’i inkurajojë nënshtetasit e këtij kombi të dashur, e në mënyrë të posaçme politikanët, të punojnë me guxim për pajtimin, dialogun e sinqertë, bashkëjetesën paqësore e për të mirën e një atdheu, që u takon njëlloj të gjithëve”.
Më pas, gjatë përshëndetjeve përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Papa i nxiti të gjithë besimtarët ta jetojnë Kohën e Krezhmëve me përshpirtëri të posaçme, duke agjëruar, a më mirë të themi, duke qëndruar larg figurave e zhurmave të botës e pranë njerëzve nevojtarë, duke dhënë lëmoshë e duke kryer vepra dashurie të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.