BE-ja i lë të lira vendet e saj ta njohin Kosovën, por e konsideron rast "sui generis".
12 shtete do ta njohin brenda së enjtes
(18.02.2008 RV)Bashkimi Evropian u njeh të drejtën shteteve anëtare të lidhin
marrëdhënie me Kosovën, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe e quan shpalljen
e njënashme të pavarësisë nga ana e Prishtinës si rast “sui generis”, pra krejt të
veçantë e të papërsëritshëm, dhe të tillë që nuk krijon precedent. Shtetet e para
që deklaruan se do ta njohin pavarësinë e Kosovës janë Franca, Gjermania, Italia,
Austria dhe Britania e Madhe, ministrat e jashtëm të të cilave u shprehën për këtë
qëllim menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian, që
u zhvillua sot në Bruksel. Sipas burimeve evropiane, të paktën 12 vende të kontinentit
të vjetër do ta njohin pavarësinë e Kosovës brenda së enjtes. Vazhdojnë edhe reagimet
e shteteve dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ndërsa presidenti dhe kryeministri
i Kosovës u kanë dërguar menjëherë kërkesën për njohjen e shtetit të ri, 192 vendeve
të botës. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pasi përfundoi mbrëmë pa ndonjë rezultat
është mbledhur sërish sot, në praninë e presidentit serb, Boris Tadiç, i cili u nis
urgjentisht për në Nju Jork. Serbia akuzon presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu,
kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi se
“kanë organizuar në territorin serb shpalljen e pavarësisë së një shteti të rremë”.
Sipas Ministrisë së Brendshme, krerët e Prishtinës “kanë kryer akte serioze kriminale
kundër rendit kushtetues dhe kundër sigurisë së Serbisë”. Ndërkaq, në Bruksel
u zhvillua sot një mbledhje e vështirë e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Pas diskutimesh të shumta mbi bazën e dy dokumentave, presidenca sllovene paraqiti
propozimin përfundimtar, që merrte parasysh idetë e Spanjës, e cila nuk do ta njohë
Kosovën si të pavarur, sëbashku me Qipron, Rumaninë, Sllovakinë dhe Greqinë. Në tekst
thuhet se “Këshilli i ministrave shpreh mendimin që shtetet anëtare mund të vendosin,
sipas praktikave kombëtare e normave ndërkombëtare, të lidhin marrëdhënie me Kosovën
si shtet i pavarur nën mbikqyrjen ndërkombëtare”. Në deklaratë nuk përmendet fjala
“njohje”, por nënvizohet se status quo-ja nuk mund të mbështetet më. Gjithashtu theksohet
se “duke pasur parasysh konfliktin, spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare të
viteve ’90, si edhe kohën e gjatë të administrimit nga jashtë, Kosova përbën një rast
“sui generis”, pa krijuar asnjë lloj precedenti”. Duma ruse, nga ana tjetër, ka dënuar
sot deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e quajtur si dhunim të parimit të integritetit
territorial.