2008-02-17 19:54:28

Reagimet e botës ndaj pavarësisë së Kosovës


(17.02.2008 RV)“Kjo është dita e rilindjes së kombit – komentoi i pari kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës korrigjohet një padrejtësi historike”. Tirana, Shkupi dhe Prishtina ishin të bashkuara në transmetimet e drejtpërdrejta dhe në festimet e pavarësisë. Në të gjithë botën, para selisë së Bashkimit Evropian në Bruksel e para ambasadave amerikane, por edhe nëpër rrugë, kudo ku ka shqiptarë, janë organizuar manifestime spontane për të shprehur gëzimin e shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë.
Reagimet nga shtetet e tjera të botës akoma vazhdojnë. Presidenti amerikan Bush, nga Tanzania ku ndodhej sot, deklaroi se është në favor të një shteti mbështetur mbi planin e Ahtisarit. SHBA-të bëjnë thirrje për qetësi dhe shmangien e provokimeve. Britania e Madhe i bëri urimet Prishtinës dhe theksoi se është gati ta mbështesë edhe ushtarakisht pavarësinë e Kosovës. Pritet që nesër, pavarësia të njihet zyrtarisht nga Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Bernar Kushner, ministri i jashtëm francez dhe kreu i parë i misionit ndërkombëtar në Kosovë i uroi fat shtetit të ri. Ministri i jashtëm i Irlandës shprehu qëndrimin e qeverisë së tij për njohjen e pavarësisë. Ministria e jashtme e Tajvanit përshëndet me një deklaratë urimi.
Notave festive u kundërvihen notat e zymta të Serbisë dhe Rusisë. Në mbledhjen e parlamentit serb, menjëherë pas atij kosovar, kryeministri Vojisllav Koshtunica deklaroi se Beogradi nuk do ta njohë kurrë një shtet të paligjshëm dhe akuzoi Bashkimin Evropian se i është nënshtruar vullnetit amerikan, burim i të gjitha të këqiave, sipas kreut të qeverisë serbe. Peshkopi Artemije i kishës ortodokse serbe kërkoi madje një bashkëpunim me Moskën për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë e sot u ndalën në Merdare një grup serbësh me uniformë. Nga ana e saj, Rusia kërkoi dhe arriti të mbledhë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të cilit i kërkoi të anullojë deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi i bën thirrje Izraelit ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Ju sigurojmë se nuk do të jemi një shtet islamik”, nënvizon ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.