Kosova krenare, e pavarur dhe e lirë. Kuvendi i Prishtinës sot më 17 shkurt miratoi
Deklaratën e Pavarësisë, duke e bërë Kosovën Shtetin më të ri në botë, dhe miratoi
simbolet shtetërore.
(17.02.2008 RV)17 shkurti 2008
për qytetarët e Kosovës është ditë historike, ditë e dhuruar prej Zotit. Parlamenti
i Prishtinës sot e shpalli Kosovën Shtet të pavarur e Sovran. Me gëzim të madh
të gjithë shqiptarët e Kosovës por edhe të Shqipërisë, të Maqedonisë e të trevave
të tjera shqiptare si dhe të diasporës bashkëkremtuan ngjarjen historike, aktin e
shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prandaj të ngazëllohemi dhe të gëzohemi për këtë. Kosova
e njohur si tokë e besës, e nderit dhe e burrërisë i thotë Pavarësisë: Mirë se vjen,
çka vjen prej Zotit e prej zemrave, mendjeve e duarve, prej flijimit e gjakut të çmueshëm
të bijve e bijave dardanë. Eshtë Kosova e ungjillëzuar nga epoka apostolike, e
cila njohu momente të rëndësishme, të lavdishme e të mundimshme në historinë e saj.
E sot është përuruar një epokë e re e ka filluar përshkimi i udhës së vlerave demokratike
që lypet të kultivohen, të përforcohen, të mishërohen e të rrezatohen në jetën e përditshme
të të gjithë qytetarëve për rindërtimin e indit shoqëror, të strukturave shtetërore
për të mirën e të gjithëve pa kurrfarë dallimi apo përjashtimi. Pavarësia nuk është
kunder askujt, por për synimin e arritjes së një jete të lirë, të drejtë, të vërtetë,
të bazuar mbi vlera njerëzore, shoqërore, demokratike e shpirtërore që i shërbejnë
njeriut dhe atë e mbrojnë kurdoherë.