2008-02-16 18:28:45

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(17.02.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës së Krezhmëve. U përkujtuan edhe Shtatë Themeluesit e Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, ndërmjet të cilëve, edhe Aleks Falkonieri.

Nesër, e hënë, është festa e të Lumit Gjoni nga Fiezole, i njohur me emrin Beato Angjeliko, meshtar domenikan. Na kujton se duhet të japim, aq sa kemi marrë, në se duam që Zoti të ketë mëshirë për ne. E kjo nuk është vetëm drejtësi, por edhe dëshmi që tregon se e meritojmë vërtetë dashurinë e Hyjit.

Hipokrizia është sjellje e padenjë, të cilën Jezusi e dënon me forcë. Kush e ka këtë ves tepër të keq, nuk mund të quhet nxënës i Krishtit – na kujton liturgjia në festën e Shën Konrrad Konfalonierit, vetmitar françeskan, që do të përkujtohet të martën.

Shën Leoni i Katanies, ipeshkëv e Shën Eleuteri, që Kisha do t’i festojë të mërkurën, na kujtojnë se nxënësit e Krishtit nuk duan të besojnë se po afrohen mundimet e Zotit; përkundrazi, duan ta shikojnë Jezusin në lartësinë e një prijësi të madh politik, që çliron, që sundon. Po Mësuesi Hyjnor u kujton shkallën e re të vlerave.

Të enjten është festa e Shën Pier Damianit, ipeshkëv i Osties, kardinal e doktor i Kishës, kamaldolez. Liturgjia e festës së tij na çon në skenën familjare të Lazrit të varfër, që shtrihet përdhe para portës së pasanikut të pamëshirshëm. Më pas shikojmë sesi Lazri i mjerë fiton lumninë e amshuar, në sa i pasuri i pamëshirshëm, dënimin e amshuar. Edhe sot Krishti na kujton se nxënësit e tij duhet t’i binden ligjit të dashurisë, në se duan të jenë vërtetë të tillë.

 
Në festën e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull, të Shën Maksimianit të Ravenës e të Shën Margaritës së Kortonës, të premten e ardhshme, në liturgji lartohet plot besim drejt qiellit zëri i Psalmistit: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon!”. Festa e Katedrës së Princit të Apostujve, na kujton se epërsia e Pjetrit dhe e pasardhësve të tij nuk është epërsi sundimi, por epërsi në shërbim të grigjës që u është besuar.

Polikarpi, ipeshkëv i Smirnës e martir e Shën Gjyzepina Vanini, virgjër, që do të kremtohen të shtunën – na kujtojnë se Ati është gjithnjë te pragu, në pritje të kthimit tonë. Tek ai nuk paraqitemi si shërbëtorë, sepse një të arritur, Ai, na rijep menjëherë dinjitetin pafundmë të bijve.

E diela e ardhshme është e treta e Krezhmëve, një hap i ri përpara drejt Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.