2008-02-16 18:24:30

Një orë mësimi historie nga Fan S. Noli: “Lufta për indipendencën”.


(16.02.2008 RV)Asnjë popull ballkanik s’ka lëftuar aq rëndë për indipendencën kundër imperialistëve, sa shqiptarët. Kur të gjithë të tjerët ishin unjur nën turqit, shqiptarët, të udhëhequr prej kryetarit të tyre me famë Gjergj Kastriotit Skënderbeut u bënin akoma ballë ushtërive të tmerruara të sulltanëve. Ishin të funtmët që u shtruan, pothua gjysëm shekull pas rënies së Stambollit e më tepër se një shekull pas betejës së Kosovës. Por edhe kjo s’qe veçse një shtrim sa për sy e faqe. Se me të vërtetë lufta vazhdoi pothua se e paprerë gjer më 1912 kur një pjesë e Shqipërisë etnografike e rifitoi indipendencën.
Historia e Shqipërisë që prej shekullit të gjashtëmbëdhjetë gjer në shekullin e njëzetë s’është veçse një sërë kryengritjesh periodike kundër tiranisë turke. Pak përpara luftës ballkanike më 1912, ka ngjarë një kryengritje e madhe që pati një sukses me bujë. Ushtëritë turke u thyen në tërë vijën dhe shqiptarët zaptuan Shkupin, Manastirin dhe Selanikun. Sikur të mos ishin tradhëtuar prej krerëve, shqiptarët do ta kishin proklamuar që ahere indipendencën e tyre. Nuk e bënë veçse pak më vonë, më 29 Nëntor 1912 nën Ismail Qemalin, kur vendi ishte i zaptuar prej ushtrive ballkanike dhe kërcënohej prej coptimit.
Konferenca e Londrës, e mbledhur për të zgjidhur çështjen ballkanike e njohu më në fund indipendencën kombëtare për të shpëtuar prej ngatërrimeve me Austrinë dhe Italinë, të cilat nuk munt të përmetonin zaptimin e anëdetit shqiptar prej shteteve ballkanike. Të dy fuqitë e mëdha adriatike, aliate dhe rivale, kishin një interes vital që ku anëdet, i lakmuar prej cilësdo prej tyre, të mos binte në duar të serbëve e të grekëve. Kështu shpjegohet përse nuk shkelë këmbë që t’i jepen Shqipërisë veçse viset anëdetore. Të tjerat krahina u sakrifikuan në fitim të serbëve, të grekëve e të malëziasve me një mënyrë që viset e aneksuara prej këtyre, si Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Kosova, Dibra e Çamëria, kanë një popullatë më të madhe se Shqipëria indipendente.
Ky ishte copëtimi i dytë i Shqipërisë. I pari ngjau pas Kongresit të Berlinit, kur krahinat e Nishit e të Vranjës iu falë Serbisë, Ylqini e Tivari Malit të Zi dhe Epiri i Jugës Greqisë. Shqiptarët kundërshtuan me armë nja dy vjet me radhë, po u shtrënguan të unjen, se u vunë midis dy zjarresh prej ushtërive turke që i goditnin nga stereja dhe prej fllotës ndërkombëtare që i bombardonin nga deti.
Copëtimi i tretë u vendos prej Konferencës së Paqes me 1919 për fitim të serbëve që merrnin Shkodrën, të grekëve që merrnin Gjirokastrën e të italianëve që merrnin Vlorën me hinterlandin dhe mandatin mbi restat e Shqipërisë. Po ky vendim nuk u vu dot në veprim nga shkaku i protestit të presidentit Uillson e i shituatës revolucionare përgjithërisht dhe i kundërshtimit të shqiptarëve të cilët më në funt i vërvitnë në det italianët nga fortesa e Vlorës më 1920. Heroizma epike e katundarëve shqiptarë triumfoi mi një ushtëri moderne që ishte e armatosur më mirë dhe më e lartë nga numri.
Në fund të motit 1920, Shqipëria u njoh përsëri si shtet independent dhe u qas si anëtare në Lidhjen e Kombeve. Në vjetët që pasuan, imperialistët grekë, të thyer në Anadoll dhe imperialistët italianë të përçarë prej luftës së brëndëshme s’kishin aspak qejf të suleshin në aventura në Shqipëri. Qëndruan, pra, mënjanë dhe bënin sehir. Po serbët militaristë, që i kishin duart të lira, s’lanë gjë pa bërë për të ndaluar konsolidatën e shtetit shqiptar me qëllimin që ta shtronin nën hijen e tyre, si maksimum, a ta copëtonin me italianët dhe grekët, si minimum. Për të realizuar këtë program, mot për mot që më 1920 gjer më 1924, organizonin inkursione çetash që i trumbetonin si kryengritje të brëndshme. E funtmja e këtyreve ish një invazje e thjeshtë dhe pati si përfundim hipjen e Ahmet Zogut në fuqi. Militaristët serbë besonin se e kishin gjetur njerinë që do t’u realizonte ëndrrën imperialiste mbi kurriz të Shqipërisë. Po u gënjyen tmerrësisht. Se politika e tyre e urryer dhe e çmendur kundrejt Shqipërisë pati si përfundim protektoratën italiane.
Ja roli i armiqve të jashtmë në tragjedinë e popullit shqiptar.
Tani na mbetet të ekzaminojmë rolin e armiqve të brëndshëm, të bejlerëve feodalë. Se, për të patur një ide të kjartë të luftëve për indipendencë kombëtare, duhet mbajtur gjithnjë përpara syve fakti se populli shqiptar duhej të lëftonte në dy ballë, kundër armikut të jashtmë që përfaqësohej prej fqinjve imperialistë dhe, gjithë në atë kohë, kundër armikut të brendshëmë që përfaqësohej prej bejlerëve feodalë, zotër çifligjesh të Kohës [së] Mesme, aliatë dhe vegla të armikut të jashtmë.
Që nga koha e Skënderbeut krerët feodalë kishin nisur togje- togje të dezertonin nga ana e armikut, të viheshin në krye të ushtërive turke dhe të luftonin kundër atdheut të tyre. Në shekujt pasonjës, i shohim gjithnjë pranë shtypësit të huaj. Pothua të gjithë kryengritjet shqiptare përpara luftës ruso-turke më 1879 janë thyer prej bejlerëve feodalë. Pastaj, kur panë se perandoria turke po përmbysej, u bënë menjëherë nacionalistë të flaktë. Dhe e kanë lojtur rolin e tyre aq mirë, sa kanë marrë pothua gjithnjë pjesë në fuqi, pas 28 Nëntorit, nën maskën patriotike. Të demaskuar dhe të dëbuar prej nacionalistëve, u kthyen prapë në Shqipëri me ushtëri të huaja, nën Esat pashën më 1915, nën Ahmet beg Zogollin më 1924. Prenk Bib Doda, kapitani i Mirditës, kishte plotërisht të drejtë kur e këshillonte princ Vidin se për të themeluar një shtet shqiptar duhej më parë të shuante feodalët. Princ Vidi bëri pikërisht të kundërtën: u pështet mi bejlerët dhe u rrëzua bashkë me ata, si Esat pasha përpara, si Ahmet Zogolli pastaj. Nacionalistët, të organizuar keq dhe të përçarë në tarafe armike, e përsëritne këtë lajthim gjer në një pikë: u pështetnë herë-herë mbi bejlerët feodalë “nacionalistë” dhe kështu zunë rrugën e princ Vidit në syrgjyn më 1924, të dëbuar prej feodalit Ahmet beg Zogollit […].
Nacionalistët e syrgjynosur kanë marrë mësimet e domosdoshme nga këto pësime të hidhura […] e po e organizojnë lëvizjen e çlirimit mi organizimin e kllasit të katundarëve […] nga njëra anë, dhe, nga ana tjatër, mi bashkëpunimin vëllazëror me popujt e tjerë të Ballkanit për të themeluar një federatë republikash katundare brënda në kufirët ethnografike. Ky është me pak fjalë programi i të dy organizatave shqiptare kryesore të emigratës, i Komitetit të Çlirimit Kombëtar dhe i Komitetit të Kosovës. Me këtë program e me këtë flamur po u bëjmë thirrje të gjithë miqve të popujve të shtypur […] dhe të gjithë botës së qytetëruar, të na përkrahin në luftën tonë për të fituar lirinë.

Shkruar në Gjenevë (Svicër)Më 20 nëntor 1928.

(Nga Noli, Vepra 3, fq 68 – 71)








All the contents on this site are copyrighted ©.