Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Kreshmeve “A"
(16.2.008 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë
dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmeve, ciklit
të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës. Leximet biblike të kësaj së diele
të dytë të Kreshmeve flasin për dëftimet e mëdha të Zotit: dëftimi i marrëdhënies
së besnikërisë që e lidhë Zotin me njeriun në personin e Abrahamit, dëftimi i cakut
e fatit të lavdishëm në Krishtin që “na ka shndërruar në korpin e vet të lavdishëm”
dhe së fundi dëftimi i hyjnisë së Krishtit “Birit të zgjedhur” në Shndërrimin mbi
Malin Tabor. Kështu, pas tundimeve të Krishtit, për të cilat foli Ungjilli i dielës
së kaluar, dielës së parë të Kreshmeve, në këtë diele të dytë, Ungjilli na paraqet
Shndërrimin e Krishtit . Ungjilltare na thotë se dishepulli apo i krishtëri nuk
ka tjetër kënd që ta kërkojë apo dëgjojë përveç Jezusit. Vetëm Atë duhet dëgjuar dhe
vetëm Atë duhet ndjekur. Pjesa Ungjillore e kësaj së diele na fton të ecim bashkë
me Krishtin drejt malit të shenjtë për të kundruar fytyrën e tij të lavidshme. Duke
vështruar Jezusin e shndërruar në shkëlqimin e lavdisë së tij mbi malin Tabor, ne
nxitemi, mbushemi me shpresë që edhe ne do t’ia arrijmë lavdisë së jetës së përjetshme
e do të shndërrohemi bashkë me Të në amshim. Me shndërrimin e vet, Jezu Krishti na
kumton ngjalljen e tij e na tregon se edhe ne jemi të paracaktuar të jemi e të bëhemi
pjesë e lavdisë së tij hyjnore të qiellit. Tani e përjetojmë mundimin, e pësojmë peshën
e jetës së përditshme, por jemi të nxitur, jemi të frymëzuar, jemi të mbështetur e
të shndërritur nga shpresa e jetës së amshuar, në të cilën Zoti na ka thirrur. Ungjilli
i kësaj së diele të dytë të Kreshmeve që paraprijnë e përgatisin Pashkët, na paraqet
Jezusin në udhëtim drejt Jerusalemit, drejt pagëzimit të kryqit; në një ndales gjatë
udhëtimit, tre dishepujt e tij do të kenë mundësinë ta kundrojnë Mësuesin e shndërruar
në lavdi. Edhe ne kemi të njëjtin cak e fat të lavdishëm. Në këtë të diele të dytë
të Kreshmeve, leximet biblike na propozojnë e dorëzojnë një përjetim, eksperiencë
të ngazëlluar. Dishepujt, para se ta njohin në Jezusin Shërbëtorin e munduar e të
vuajtur, kanë një vegim, një pamje të shkurtër por të fortë, të thellë, të lavdisë
së tij. Në fytyrën e Birit të Njeriut është ( e shohin) dëftimin e lavdisë së Zotit.
Nisioni ynë është që fytyrën e shpërfytyruar e të munduar të sa e sa vëllezërve tanë
të bëjmë të shkëlqejë rrezja e dashurisë së Zotit dhe e lavdisë të të shëlbuarëve...