2008-02-15 18:21:50

Magjisteri i Benediktit XVI në qendër të takimit të organizuar nga Radio Vatikani me imzot Fizikelën.


(15.02.2008 RV)Dje paradite, gjatë një takimi mbajtur në Sallën Markoni të Radio Vatikanit, imzot Rino Fizikela, Rektor i Universitetit Papnor Lateranens dhe ipeshkëv ndihmës i Romës, sintetizoi tiparet themelore të Magjisterit të Benediktit XVI. Gjatë fjalimit të tij, prelati vuri theksin mbi vijat drejtuese të papnisë së Benediktit XVI, tri vjet pas zgjedhjes. Po cilat janë këto vija, apo pika të sigurta? Na e shpjegon vetë imzot Fizikela, në mikrofonin e Radios sonë:RealAudioMP3
 
Përgjigje: - Besoj se pika e parë e sigurtë është figura jashtëzakonisht e thellë dhe shprehëse e vetë Papës Benedikti XVI, i cili me mësimin e tij, krijon një tërësi të pandarë: mendoj se këtë e dëshmon qartë vëmendja e madhe me të cilën ndiqet çdo fjalë e çdo fjalim i tij: sheshet janë përplot me njerëz, që e dëgjojnë me vëmemndje të heshtur sa herë që flet e, për më tepër, e dimë se shumë prej tyre i meditojnë fjalimet e tij e mësimet e tij. Pastaj duhet të ndalemi tek përmbajtja e tyre, që mund ta sintetizoj në tri pika kryesore: e para më duket se është vëmendja e madhe me të cilën Papa i ndjek ndryshimet në kulturën bashkëkohore; Ati i Shenjtë shpreh shqetësimin e tij për identitetin e besimtarëve, të cilët nuk duhet të jenë të tillë vetëm për emër, por duhet ta jetojnë fenë e krishterë. Pastaj shqetësohet edhe për popullsitë me pasuri të mëdha tradite e historie. Mbi këtë bazë ngrihet edhe thirrja e vazhdueshme për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut e për shenjtërinë e jetës personale. Duhet të jemi të aftë për ta vënë gjithnjë në plan të parë vëmendjen, vigjilencën për jetën: përballë kërkesave të progresit, të shkencës, të teknikës, Papa na nxit vazhdimisht me forcë të përpiqemi që përparimi i shkencës dhe i teknikës të mos e cenojë dinjitetin dhe shenjtërinë e jetës së çdo njeriu. Më duket se një pikë tjetër, që theksohet me forcë të veçantë, është tema e së vërtetës: promovimi i së vërtetës e posaçërisht nevoja që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se dinjiteti i njeriut mund të realizohet me atë masë, me të cilën ai është gjithnjë në kërkim të së vërtetës. Sfida e madhe e kardinalit të paradokohshëm Jozef Racinger përballë botës “Veluti si Deus daretur’ – që jeton sikur Zoti të mos ekzistonte, besoj se lidhet ngushtë me temën e së vërtetës. Njeriu nuk mund ta përjashtojë Hyjin nga horizonti i jetës së vet, sepse kështu përjashton vetë dinjitein e tij, varfërohet, nuk e arrin kurrë atë përsosuri që e synon në mënyrë të natyrshme secili nga ne. E, së fundi, tema e madhe e Kishës, që duhet të jetë e aftë të shprehë në mënyrën më të mirë të mundshme besueshmërinë e Ungjillit. Më duket se një nga pikat themelore të mendimit të Benediktit XVI është ajo e universalitetit të misionit të Kishës, prej këndej, universaliteti lidhet ngushtë me misionaritetin. Jemi para një impenjimi konkret, që dëshmon si mund të kapërcehen edhe çastet më të vështira, përmes sigurisë që të ngjall shpresa. Gjithë kjo përbën intuitën e madhe të teologjisë së Papës Jozef Racinger. Papa e përfshin fenë në dy terma, karakteristike për të - ‘stehen’ e ‘verstehen’, që do të thonë ‘të jesh’ e të ‘kuptosh’. Feja na bën për vete, na nxit, na kërkon të jemi të pranishëm në botë, por edhe të bëjmë përpjekje të mëdha për të kuptuar ç’ngjet në botë e për botën.

Pyetje: - Benediktin XVI e njohim tashmë si Bari ‘të butë e të vendosur’, që na kujton Letrën e parë të Pjetrit”, i cili thotë: “Kumtojeni shpresën tuaj… me ëmbëlsi e respekt”…

Përgjigje: - Natyrisht. Letra e parë e Pjetrit mendoj se është Magna Charta e teologjisë themelore. Apostulli thotë pikërisht këtë: të jeni gati për t’iu përgjigjur çdo njeriu që kërkon arsyen e shpresës suaj, por këtë bëjeni me ëmbëlsi, me respekt, me ndërgjegje të pastër. Nuk duhet të harrojmë se butësia biblike ka kuptimin e vet të posaçëm. Për Mosiun thuhet se ishte njeri i drejtë! E pra nuk është njeri i heshtur, njeri që sprapset. Butësia është forca e guximit që buron nga kumtimi i Ungjillit.

Pyetje: - Pas pak kohe do të kremtohet Dita Botërore e Rinisë; shtegtimi i parë apostolik ndërkombëtar i Papës Benedikti XVI ka qenë DBR-ja e Këlnit; ndërkaq është kremtuar edhe Agorà-ja e të Rinjve në Loreto…

Përgjigje: - Besoj se të rinjtë dëshirojnë t’i afrohen gjithnjë më shumë Papës Benedikti XVI, dëshirojnë ta kenë vetëm për vete. Papa i nxit të reflektojnë, i nxit ta marrin seriozisht e të mos e shpërdorojnë rininë e tyre, i nxit edhe ta shikojnë plot shpresë të ardhmen. E unë mendoj se pikërisht ky është mesazhi për të cilin kanë nevojë të rinjtë; të shkojnë drejt së ardhmes, pa e harruar të tashmen e tyre, ta bazojnë jetën mbi të sotmen e, sidomos, të jenë të aftë që mbi këtë të sotme, të ndërtojnë një ardhmëri plot kuptim. Për këtë u bën thirrje Papa: të jenë të guximshëm në zgjedhjen e rrugëve të së ardhmes, pa harruar se kjo zgjedhje nuk kërkon vetëm guxim, por edhe mend e entuziazëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.