2008-02-15 17:35:29

Kosova do ta shpallë pavarësinë të dielën


(15.02.2008 RV)Kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për shtyp, të mbajtur sot në Prishtinë, nuk përcaktoi datë, megjithëse pak para konferencës, një zëdhënës i tij deklaroi se pavarësia do të shpallet të dielën në orën 17.00. Ndërkaq, parlamenti i Prishtinës miratoi një mocion që i lejon të adoptojë brenda 24 orësh të gjitha ligjet e nevojshme për shpalljen e pavarësisë, me bazë rekomandimet e planit të Ahtisarit.
Po sot, presidenti serb Boris Tadiç bëri betimin për mandatin e tij të dytë dhe u impenjua që të luftojë me të gjitha mjetet, por jo me armë, për të ruajtur sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën. Si për të, ashtu edhe për kryeministrin Koshtunica, Kosova mbetet pjesë përbërëse e territorit të Serbisë, pavarësisht nga fushatat, presionet, ofertat dhe kërcënimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Siç pritej, përfundoi pa ndonjë rezultat edhe mbledhja e Këshillit të djeshëm të Sigurimit të OKB-së, në të cilën anëtarët mbetën në qëndrimet e tyre, pa gjetur një gjuhë të përbashkët mbi çështjen e Kosovës. Ambasadori rus vuri në dukje se të pranishëm në mbledhje ishin shumë ambasadorë të vendeve të tjera, të cilat mund të preken nga modeli që do të sjellë në të drejtën ndërkombëtare, shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës. Rusia, në një komunikatë të ministrisë së jashtme, sqaron se “shpallja dhe njohja e saj duhet pa dyshim të merren në konsideratë përsa i përket situatës në Abkhacia dhe në Osetinë e Jugut, dy rajonet pro-ruse të Gjeorgjisë.
E ndërsa shtetet e ndryshme evropiane shprehen për njohjen ose jo të pavarësisë, mësohet se Këshilli i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që do të mblidhet të hënën e ardhshme më 18 shkurt, do ta marrë parasysh zyrtarisht deklaratën e Prishtinës, por njohja e shtetit të ri do të varet nga çdo anëtar i Bashkimit Evropian, veç e veç. Gjithsesi, ka mundësi që Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe të bëjnë në fund të mbledhjes një deklaratë të përbashkët për njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian sëbashku me Bankën Botërore po përgatisin një konferencë donatorësh për Kosovën, e cila mund të mbahet në qershor.







All the contents on this site are copyrighted ©.