2008-02-15 17:38:34

Imzot Miliore në OKB: Të ndryshohet mënyra e jetesës për të shpëtuar klimën


(15.02.2008 RV)RealAudioMP3 Të ndryshohen stilet e jetës për të favorizuar zhvillimin autentik, të pranueshëm për të gjithë. Ky është thelbi i fjalimit që mbajti Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Çelestino Miliore në asamblenë e 62-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila diskutoi për ndryshimet e klimës. Kryeipeshkvi nënvizoi urgjencën e politikave kombëtare dhe globale që u japin përparësi përdorimit të teknologjive ekologjike. Çdo person duhet të ndryshojë mënyrën e vet të jetesës në të mirën e krejt planetit dhe sistemi i tregut duhet të inkurajojë një ekonomi që e respekton ambientin, që nuk prodhon mallra, të cilat shkaktojnë shkatërrimin e tij. I kërkuam një mendim presidentit të komitetit shkencor të shoqatës “Greenaccord” (Marrëveshja e gjelbër), profesorit italian Andrea Mazulo:
Gjendemi para një situate paradoksale. Në vendet e industrializuara, në të cilat niveli i konsumit është që tani jashtëzakonisht i lartë, sistemi duket sikur nuk funksionon pa një kërkesë të vazhdueshme për rritjen e mëtejshme të konsumit. Nxitet konsumatori të konsumojë edhe më shumë, gjithnjë e më shumë, pa pyetur se për çfarë ka nevojë dhe për ç’arësye konsumon. Prandaj, ftesa e imzot Miliores më duket shumë me vend, pasi kërkon marrjen e përgjegjësisë nga të dyja frontet: nga konsumatori, që shpesh është viktimë e mesazhit të reklamave, dhe nga sistemi ekonomik që nuk mban më parasysh funksionin e tij të vërtetë, të qenit në shërbim të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.