2008-02-14 18:04:18

Tension në Liban për hezbollahun e vrarë e për Haririn


(14.02.2008 RV)Tension në Liban për funeralin e komandantit të vrarë të Hezbollahëve dhe për tri vjetorin e vdekjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri. Dhjetëra mijëra persona u mblodhën sot në sheshin e Bejrutit për të përkujtuar Haririn. Pak metra larg vendit ku u vra nga një kamion-bombë, bashkë me 22 persona të tjerë, u përurua një shtatore për nder të tij. Por Bejruti ishte sot i blinduar edhe për funeralin e ish-liderit të hezbollahëve, vrarë të martën në Damask të Sirisë. E Libani akoma nuk arrin të gjejë një kompromis për kandidatin që duhet të bëhet presidenti i vendit.

T’i kthehemi edhe një herë konferencës së sotme për shtyp të presidentit rus Vladimir Putin. Përveç Kosovës, u kujtuan polemikat Rusi-SHBA për vendosjen e raketave në qendër të Evropës. Putin kërcënoi se do t’i drejtojë sistemet e tij kundër raketave drejt Ukrainës, Polonisë, Republikës Çeke, e kundër kujtdo që do të pranojë në territorin e vet armë amerikane. Gjithashtu, presidenti rus kërkoi reformimin e OSBE-së, e cila nuk do të marrë pjesë si vëzhguese e zgjedhjeve presidenciale të 2 marsit të ardhshëm, në të cilin Putin mbështet kandidaturën e Dmitri Medvedev. Ndërkaq, një magjistrat i famshëm për veprimtarinë kundër korrupsionit është vrarë mbrëmë në jug të Rusisë.

Në dy episode dhune në Irak u vranë 5 civilë dhe u shua një familje e tërë. Komanda amerikane vazhdon të raportojë suksese në luftën kundër terrorizmit, pavarësisht se nuk ka arritur të sigurojë jetën e banorëve të vendit. Sipas saj, shumë militantë të Al Kaidës janë larguar nga rajonet e veriut të Irakut për të shkuar drejt shkretëtirës ose jashtë vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.