2008-02-14 18:00:53

Putin: jo standarteve të dyfishta për Kosovën


(14.02.2008 RV)Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sot me dyer të mbyllura për Kosovën. Kërkesa u bë dje nga Serbia dhe Rusia, të cilat duan që OKB-ja të mbetet palë në administrimin e krizës, por vendet e tjera nuk presin ndonjë të re nga kjo mbledhje.
Ndërkaq, sot qeveria serbe miratoi njëzëri “anullimin” e deklaratës së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, e cila konsiderohet nga Beogradi si “e paligjshme”. Dokumenti do të miratohet nga parlamenti, menjëherë pas deklaratës së Prishtinës.
Nga ana e tij, edhe presidenti rus Vladimir Putin iu kthye sërish çështjes së Kosovës në konferencën e sotme të shtypit në Moskë, ndoshta e fundit e mandatit të tij si president, para 1400 gazetarëve rusë dhe të huaj. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, deklaroi Putin, nuk është as morale dhe as e ligjshme. Evropa, akuzoi ai, ka standarte të dyfishta për çështjet territoriale dhe shtetet e vogla nuk ndihen të sigurta në arenën ndërkombëtare.

Formalizohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Beograd. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi përsëriti numërimin e votave në një qendër votimi për shkak të parregullsive procedurale, shpalli se presidenti Boris Tadiç ka fituar 50,31% të votave përkundrejt 47,97% të marra nga ultranacionalisti Tomisllav Nikoliç. Pasnesër, në ditën e festës kombëtare serbe, Tadiç do të paraqitet në parlament për përurimin zyrtar të mandatit të tij të ri pesëvjeçar.







All the contents on this site are copyrighted ©.