2008-02-14 17:34:34

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(14.02.2008 RV) 14 shkurt: Klodoveu që vuri një bast të çuditshëm me Zotin!
“O Hyji i Klotildes, betohem se po më sigurove fitoren, do të pagëzohem menjëherë”.
I krekosur mbi shalën e kalit, në mes të fushës së betejës, Klodoveu sfidon Zotin. Gjermanët e tmerrshëm, kundër të cilëve lufton mbreti i frankëve, për t’i nxjerrë jashtë trojeve të veta, gati e kanë fituar betejën. Klodoveu, pagan i përbetuar, i është lutur disa herë Odinit e Frejës, hyjnive të popullit të vet, por nuk e kanë dëgjuar. Tani shpëtimi i tij e i atyre pak njerëzve që i kanë mbetur, është në duart e Hyjit të Klotildes, së shoqes.
Klotilda është katolike, por nuk e ka detyruar kurrë të shoqin të kthehet në fenë e saj; me durim të madh, është munduar t’ia kumtojë Fjalën e Krishtit e mrekullitë e Zotit të vet. Ndoshta pikërisht fjalët e saj i vijnë në mend mbretit, në sa beteja duket e humbur e ai e ndjen shijen e hidhur të shpartallimit.
Plot shpresë se Hyji i Klotildes do t’ia dëgjojë lutjen, i mbledh rishtas njerëzit e tij e nis një sulm të ri. Radhët kundërshtare gjermane në fillim çuditen nga kjo manovër, pastaj fillojnë të zgërdhihen, kur shohin duke nisur sulmin kundër tyre një grusht njerëzish të sfilitur nga luftimet. Por, qesh mirë ai që qesh i fundit! Në kundërshtim me çdo parashikim, ushtria e vogël, e raskapitur e frankëve i bën ballë kundërsulmit e, pas pak kohe, i vë në ikje gjermanët. Frankët e fitojnë betejën!
Duke u rikthyer në shtëpi, mbreti Klodove nuk ndjehet aq i kënaqur, sa ç’ dëshiron të duket. Ky burrë i madh betejash, është vetëm për vetëm me betimin e tij. Në plan politik, ka frikë se po të pagëzohet, populli e ushtria do të ngrejnë krye. Feja nuk lind vetëm pse ke ngacmuar qiellin. Klodoveu takohet me vetmitarin Gaston, flet me Klotilden, këshillohet me Gjenovefën, që jeton në Paris e me mikun e tij Remigjin, ipeshkvin e Reimsit. Pastaj shkon në Turs, e atje, duke u gjunjëzuar pranë varrit të Shën Martinit, takohet vërtetë me fenë e krishterë, me Krishtin. Ndërsa shtegtarët kalojnë në radhë të gjata pranë varrit të Shën Martinit, mbreti i madh i frankëve ndjen si zemra e tij dalë-nga-dalë hapet. Ajo që shikon, e bind plotësisht e e bën t’i japë fund heshtjes së madhe përballë premtimit edhe më të madh që i ka bërë qiellit: ka parasysh provën e dashurisë së Zotit për njerëzit dhe të mëshirës së tij të pafundme. Të sëmurët, që shkojnë te varri i Shenjtit, rinisen të shëruar; të çalët vrapojnë, të verbërit rifitojnë dritën e syve. Hyji i Klotildes nuk është luftëtar, i etur për fitore ushtarake. Është Zoti i dashurisë. Edhe Klodoveu niset nga Turs plotësisht ‘i shëruar’: beson! Ditën e Krishtlindjes merr Pagëzimin nga duart e mikut të tij, Remigjit, duke ua hapur kështu rrugën e gurrës së hirit të gjithë mbretërve të ardhshëm katolikë të Francës.







All the contents on this site are copyrighted ©.