2008-02-13 17:42:39

Punime restaurimi mbi Arkën e Shëna Ndout në Padovë.


(13.02.2008 RV)Së shpejti do të fillojnë punimet për përtëritjen e Kapelës së Shenjtit në Bazilikën e mirënjohur të Padovës.
Sot, gjatë një konference shtypi, mbajtur në Institutin e studimeve teologjike pranë Bazilikës së Shenjtit të Mrekullive, u paraqit plani për restaurimin e Kapelës së Shëna Ndout, në të cilën ruhen thesare me vlera të jashtëzakonshme artistike. Është fjala kryesisht për ciklin e altorelieveve të Sansovinos, të Lombardëve dhe mjeshtrave të tjerë të pesëqindës, i cili rrezikohet nga lagështira e nga pluhuri, që vijojnë të depërtojnë prej kohe në plasat e mermereve të çmuara, e jo më pak, nga tymi i qirinjve e nga prania e më se katër milionë besimtarëve, të cilët e vizitojnë çdo vit Kapelën e Shenjtit. Do të ndërhyhet edhe mbi Arkën ku ruhen reliket e Shëna Ndout, duke i zhvendosur përkohësisht.
Kujtojmë se Arka e Shëna Ndout quhet edhe enti, të cilit i është besuar detyra të parashikojë masat që duhen marrë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e ndërtesave monumentale të Bazilikës së Shëna Ndout në Padovë si dhe të ngrehinave të tjera rreth saj, si Kuvendi me kiostret, Biblioteka Antoniane dhe Oratori i Shën Gjergjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.