2008-02-13 17:41:53

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(13.02.2008 RV)RealAudioMP3 13 shkurt: Simeon Stiliti, i pari në listën e njerëzve që dëshirojnë të kryejnë vepra të mëdha.
Në se për të qenë i krishterë do të duhej të kryheshin vepra të mëdha e të jashtëzakonshme, Simeoni do të kishte qenë në krye të të gjitha listave.
Tërë jetën u përpoq ta bënte të mundur, atë që ishte e pamundur.
Që fëmijë, si zbulon Hyjin, vendos të bëhet murg.
Sapo prindërit i japin lejen, mbyllet menjëherë në manastirin e Teledës në Siri. Aty, në sa shokët e tij ngjinojnë tri ditë, ai vijon një javë të tërë. Përveç kësaj, për të pësuar mundimet e Jezusit, lidh në kraharor degë të njoma palme të mpleksura, që i hapin vazhdimisht plagë të thella. Eprori i tij, i mërzitur në kulm nga këto teprime, e dëbon nga kuvendi: “Hyji nuk na porosit të jetojmë në këtë mënyrë, e as ta kërkojmë me çdo kusht vuajtjen!”- i thotë, në sa pas shpinës së djaloshit ende të parritur mbyllet porta e rëndë. Por pastaj pendohet dhe e fton të kthehet përsëri, për ta mbajtur nën kontroll.
Simeoni jeton në këtë manastir për dhjetë vjet me radhë. Më pas shkon në Tesanisos pranë Antiokisë, së bashku me murgun Baso. Simeoni i lutet Basos ta murojë në një qeli, ku mendon të rrijë dyzet ditë pa ushqim, për t’i përngjarë Krishtit, duke agjëruar si Zoti në shkretëtirë. Po Basua nuk ka guxim. Ka frikë se qelia do të bëhet varri i murgut. Atëherë Simeoni pranon të marrë me vete një brokë me ujë e një copë bukë, pastaj i lutet t’ia mbyllë qelinë me mur. Kur kalojnë dyzet ditë Basua e rrënon rishtas murin që mbyllte portën e qelisë dhe hyn brenda. Simeoni është aty, i shtrirë, pa ndjenja. Buka - përtokë, e paprekur. Por kjo gjysëmvdekje nuk e tremb Simeonin, nuk e pengon ta përsëritë këtë varrosje për së gjalli. E provon njëzet e tetë herë, e çdo herë i duket më pak e vështirë.
Më pas Murgu, që kërkon të pamundurën për Krishtin, vendos të jetojë i rrethuar me një gardh të vogël, nga i cili nuk mund e nuk do të dalë. Njerëzit vijnë ta shikojnë e mrekullohen. Fama e tij merr dhenë. Për të shpëtuar nga admiruesit vendos të banojë në…. majë të një shtylle. Prej këndej edhe llagapi i tij, Stiliti. Vjen nga greqishtja ‘stilita’ e do të thotë ‘shtyllë’. Por njerëzit vrapojnë edhe më shumë: vijnë nga Arabia, Britania, Persia, Spanja, Galia… Galëve Stiliti u kërkon lajme nga Gjenovefa, vasha e krishterë prej Nanterre, për të cilën ka dëgjuar të flitet aq shumë. Eshtë ajo që u ngjalli guximin banorëve të Lutecies (Parisi i sotëm) për t’i vënë në të ikur Atilën me hunët e tij të tmerrshëm. Simeoni i lutet galëve ta sigurojnë se e do fort e se lutet për të.
Ky njeri i çuditshëm vdes në vitin 459. Fama e tij është aq e madhe, sa autoriteteve u duhet ta mbrojnë edhe trupin e tij të vdekur. Ndërtojnë për këtë qëllim, rreth shtyllës ku kishte banuar për t’u ikur syve të turmës, një bazilikë që bëhet shumë shpejt cak shtegtimesh. Askush nuk mundi t’i përngjiste Simeonit, duke provuar t’i përsëritë veprat e tij: Hyji nuk na kërkon të përsërisim. Por jeta e Murgut na kujton se të jesh i krishterë do të thotë edhe të mësohesh për t’i kapërcyer caqet e zakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.