2008-02-12 16:58:58

U mbyllën kremtimet e 150-vjetorit të lindjes së Piut XI, papës që përuroi Radio Vatikanin.


(12.02.2008 RV)U përkujtua sot përvjetori i themelimit të Radio Vatikanit, që filloi transmetimin e parë më 12 shkurt 1931, nën papninë e ‘Piut XI – një Papë interesant’ siç titullohet libri i don Umberto del’ Ortos, paraqitur të dielën e kaluar në Desio, vendlindje e papës Akile Rati, ku u mbajt takimi “Piu XI dhe koha e tij”. Gjatë takimit u kujtuan veprimtaritë e shquara të këtij pape, i cili qe protagonist i ngjarjeve më të rëndësishme të ‘900-tës.
Personaliteti i Papës Piu XI nuk është vlerësuar akoma në masën e duhur, sepse nuk është njohur sa duhet. Mjafton të kujtojmë se gjatë papnisë së tij u vendos regjimi fashist në Itali e ai nazist në Gjermani; Spanja provoi përvojën tepër të hidhur të luftës civile; Meksika, regjimin komunist-socialist-masonik e Bashkimi Sovjetik, komunizmin real. Për t’u folur popujve të këtyre vendeve që humbën lirinë, duke nisur ‘Udhën e Kryqit’ Papa Piu XI hapi mikrofonin e Radio Vatikanit, radios që u flet popujve të vuajtur të mbarë botës në gjuhët e tyre, për t’u treguar të vërtetën e për t’u transmetuar shpresën e Krishtit të ngjallur.
Don Del’Orto na e shpjegon kështu lidhjen e ngushtë të Piut XI me lindjen e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Radio Vatikani, në zanafillë, lidhet me dy arsye, që Papa Piu XI i pati në qendër të vëmendjes. Së pari, me dëshirën për të vlerësuar atë që shkencat moderne, teknikat moderne, vinin në dispozicion për veprimtarinë ungjillëzuese të Kishës. Arsyeja e dytë, që shpjegon themelimin e Radio Vatikanit është dëshira e këtij Pape për të komunikuar me masat. Ai i shfrytëzoi të gjitha kanalet e mundshme për ta realizuar këtë dëshirë. Mjafton të mendojmë vetëm për Vitet Shenjte: gjatë papnisë së tij u kremtuan tre Vite Shenjte. Pastaj, për kremtimet e panumërta, gjatë të cilave u shpallën shumë shenjtorë e të lumë, me qëllim që populli i Hyjit të ftohej për të pranuar mesazhin e shenjtërisë së krishterë, por edhe për të tërhequr në Romë sa më shumë shtegtarë. Kështu nisi veprimtaria e Radio Vatikanit, e cila më pas e përligji plotësisht misionin e saj në rrethana më të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.