2008-02-12 18:08:55

Kosova me simbole e Kushtetutë para pavarësisë. Serbia miraton reagimet.


(12.02.2008 RV)RealAudioMP3 Brenda kësaj jave, Kuvendi i Kosovës do të bëjë të gjitha hapat që në ditën e shpalljes së pavarësisë të jenë gati deklarata e pavarësisë, kushtetuta dhe simbolet shtetërore. Kështu u shpreh kreu i parlamentit, Jakup Krasniqi pas takimit me shefin e Zyrës ndërkombëtare Civile në Kosovë, Xhonas Xhonson. Krasniqi sqaroi edhe se shpallja dhe etapat e arritjes deri tek pavarësia e plotë do të bëhen në koordinim me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi.

Serbia ka gati planin për të anulluar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Masat janë diskutuar sot në Këshillin kombëtar të Sigurimit, por mbahen sekret deri në ditën e shpalljes së pavarësisë. Gjithashtu, më 14 shkurt do të mblidhet qeveria për të përgatitur deklaratën e anullimit të pavarësisë, e cila do të miratohet nga parlamenti në ditën e shpalljes. Për këtë, presidenti Tadiç dhe kryeministri Koshtunica nënshkruan mbrëmë një pakt, i cili konsolidon qëndrimin e përbashkët ndaj Kosovës, pavarësisht se mbeten opinionet e kundërta për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Përsa i përket planeve të Beogradit, deri tani, dihet se është parashikuar ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me të gjitha ato shtete që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe fillimi i një procesi gjyqësor në nivel ndërkombëtar kundër tyre. Parashikohet gjithashtu bllokadë ekonomike ndaj Kosovës dhe ndalim qarkullimi për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të udhëtojnë nga Kosova në Serbi.







All the contents on this site are copyrighted ©.