2008-02-12 15:50:29

Kard.Vanhoi në ushtrimet shpirtërore: “Meshtaria kërkon besueshmëri e mëshirë, autoritet e mirëkuptim”.


(12.02.2008 RV)RealAudioMP3 Krishti, i denjë për besim, ka të drejtë të ketë gjithë besimin tonë”. Krishti, i mëshirshëm, na ngjall mirëbesim të plotë”. Ky është thelbi i reflektimit që mbajti sot kardinali Albert Vanhoi gjatë ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve, në praninë e Benediktit XVI e të Kuries Romake, që do të përfundojnë të shtunën e ardhshme. Në këtë periudhë janë ndërprerë të gjitha audiencat dhe veprimtaritë e zakonshme, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës.
Dy meditimet e sotme ishin: “Krishti, Kryemeshtar i denjë për besim” dhe “Krishti Kryemeshtar i mëshirshëm”.
Në meditimin e parë, kardinali nënvizoi se Krishti u bë krejt i ngjashëm me vëllezërit, pikërisht për t’u bërë kryemeshtar i mëshirshëm dhe i denjë për besim. Këto – vijoi kardinali – janë dy cilësi të domosdoshme për të ushtruar ndërmjetësimin meshtarak e misionin baritor:
“Këto dy cilësi duhet t’i ketë çdo meshtar, në se dëshiron të jetë vërtetë i tillë. Një njeri, përplot me mëshirë për vëllezërit, por që nuk është i akredituar pranë Zotit, nuk mund ta ushtrojë ndërmjetësimin meshtarak, as të lidhë besë me Hyjin. Në të kundërtën, njeriu i akredituar pranë Hyjit, por të cilit i mungon lidhja e solidaritetit me ne, nuk mund të jetë meshtari ynë”.
Kush ka besim në fjalën e Hyjit – shpjegoi më pas kardinali – ecën përpara me guxim, i sigurtë në ndihmën e Zotit, sepse për atë që beson, gjithçka është e mundur.
Në meditimin e dytë me temë “Krishti, Kryemeshtar i mëshirshëm” predikatari shpjegoi cilësinë meshtarake të mëshirës, ndjenjë thellësisht njerëzore që përshkoi gjithë jetën e Krishtit mbi tokë. Jezusi e provoi mëshirën duke marrë pjesë gjallërisht në fatin e njerëzve:
Nuk është, pra fjala, për ndjenjën e cektë të atij që preket lehtë. Bëhet fjalë për një cilësi të fituar përmes pervojës personale të vuajtjes. Duhet të kesh kaluar nëpër të njëjtat prova, të njëjtat dhimbje, për t’i kuptuar si duhet ata që kërkojnë ndihmë prej teje. Krishti di të bashkëvuajë, sepse kaloi nëpër të gjitha provat, ashtu si ne”.
Pikërisht duke ecur në këtë rrugë provash e dhimbjesh, Krishti u bë Kryemeshtar, i vetmi, i vërteti, model për të gjithë meshtarët. Jezusi zbriti në mes të mjerimit njerëzor, për t’i dhuruar njerëzimit dashurinë e tij. E shndërroi vdekjen në shprehje të dashurisë më të lartë. U bë, kështu, Kryemeshtar e hapi, për ne mëkatarët, udhën e besëlidhjes së re, udhën e bashkimit me Hyjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.