2008-02-11 18:21:15

Presidenti i Kosovës flet në gazetën kishtare italiane "Avvenire"


(11.02.2008 RV)Në një intervistë për gazetën italiane kishtare “Avvenire” të së shtunës së kaluar, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu sqaron edhe se pse Serbia nuk mund të avancojë pretendime ndaj shtetit të ri kosovar, duke shfrytëzuar rezolutën 1244 të OKB-së. Ja fjalët e tij tekstuale: “Rezoluta 1244 fliste për sovranitetin e Federatës jugosllave, një shtet që u shkri kur Mali i Zi u bë i pavarur. Kosova ka qenë e detyruar të bëjë pjesë në të, kundër vullnetit të saj. Por tani, ai entitet nuk ekziston më dhe Serbia, si e tillë, nuk mund të avancojë asnjë të drejtë mbi Kosovën”.
Sejdiu uron që misioni Eulex i Bashkimit Evropian, që do të vendoset në Kosovë të jetë më efikas se UNMIK-u dhe nënvizon faktin se Beogradit i është ofruar një traktat miqësie, të cilin ai e ka refuzuar, por shprehet i sigurtë se si Serbia, ashtu edhe Rusia në të ardhmen, do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Një kuriozitet. Presidenti i Kosovës, në ditën e shpalljes së pavarësisë, do të përdorë penën e dhuruar nga Papa Benedikti XVI gjatë vizitës së fundit të Sejdiut në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.