2008-02-11 17:30:54

Papa në Engjëllin e Tënzot shpjegon kuptimin e Krezhmëve: është kohë për të vendosur ta luftojmë të keqën me Krishtin.


(11.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Të hysh në Krezhmë do të thotë të përsëritësh premtimin personal e komunitar për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Krishtin”. Këtë pohoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar edhe se Udha e Kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën.
Pasi kujtoi se të mërkurën e kaluar, me agjërimin dhe ritin e përhimjes, hymë në Kohën e Krezhmëve, Papa bëri një pyetje: “Ç’do të thotë të hysh në Krezhmë? E si duhet jetuar kjo kohë që i paraprin festës së Pashkëve?”. Ati i Shenjtë u përgjigj duke treguar të vetmen rrugë, që duhet përshkuar në luftën kundër së keqes:
“Do të thotë të fillosh një kohë impenjimi të posaçëm në luftën shpirtërore për t’iu kundërvënë së keqes, që është e pranishme në botë, në secilin nga ne e rreth nesh. Kjo do të thotë ta shikosh të keqen në sy e të jesh gati të luftosh kundër pasojave e, posaçërisht, kundër shkaqeve të saj, deri në shkakun e fundit, që është shejtani”.
Kuptimi i Krezhmëve – shtoi Benedikti XVI - ka të bëjë edhe me përgjegjësinë e secilit nga ne në betejën kundër së keqes:
“Do të thotë, pra, të mos e shkarkosh problemin e së keqes mbi të tjerët, mbi shoqërinë e mbi Hyjin, por t’i njohësh mirë përgjegjësitë tuaja e ta marrësh mbi vete me vetëdije pjesën që të takon. Lidhur me këtë, për ne të krishterët tingëllon më urgjente se kurrë thirrja e Krishtit për ta marrë secili ‘kryqin’ e vet e për ta ndjekur me përvujtëri e besim”.
Kryqi – pohoi më pas Papa – nuk është sinonim me gjëmën, me fatkeqësinë, që duhet të bësh çmos ta shmangësh, por mundësi që të ecësh në gjurmët e Krishtit e kështu të fitosh forcë në luftën kundër mëkatit:
“Rruga e kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi vetdashjen, të paqes mbi dhunën. Të para me këtë sy, Krezhmët janë vërtetë rast i mirë impenjimi asketik e shpirtëror, themeluar mbi hirin e Hyjit”.
Fillimi i Krezhmëve – nënvizoi ndërmjet tjerash Ati i Shenjtë, përkon me 150-vjetorin e dukjeve të Zojës së Bekuar në Lurdë. Katër vjet pas shpalljes të dogmës së Zojës së Papërlyer nga ana e të Lumit Piu IX, Zoja u duk për herë të parë më 11 shkurt 1858:“Mesazhi që Zoja vijon ta përhapë në Lurdë, na kujton fjalët e Jezusit pikërisht në fillim të misionit të tij publik, të cilat i dëgjojmë të përsëritura këto ditë Krezhmësh. Është ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit, për t’u lutur e për të bërë pendesë. Ta mirëpresim ftesën e Marisë, që i bën jehonë asaj të Krishtit, e t’i lutemi të na nxjerrë hirin të hyjmë me fe në Krezhmë, për ta jetuar këtë kohë me gëzim shpirtëror e impenjim bujar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.