Dështon grushti i shtetit në Timorin Lindor. Plagoset rëndë presidenti
(11.02.2008 RV)U shpall gjendja e emergjencës dhe u vendos shtetrrethimi sot
në Timorin Lindor, pasi dy sulme rebelësh të armatosur goditën presidentin Hosè Ramos
Horta, i cili u plagos rëndë, dhe kryeministrin Shanana Gushmao, i cili shpëtoi për
mrekulli. Masat kufizuese prej 48 orësh i shpalli pikërisht kryeministri, ndërsa kreu
i shtetit transportohej për në Darvin të Australisë. Kushtet e presidentit, Çmim Nobel
për paqen, janë kritike por të qëndrueshme. Kreu i rebelëve, Alfredo Reinado u vra
nga rojet e presidentit gjatë atentatit. Reinado kërkohej nga policia që nga viti
2006, për dhunën që pati përfshirë shtetin e vogël, i cili fillimisht ka qenë koloni
portugeze e më pas kaloi nën pushtimin indonezian peridhën 1975-1999. U bë i pavarur
më 2002.
U nis sot për në Irak një delegacion zyrtar i Pax Christi-t, nga
Franca dhe nga Italia, me në krye imzot Mark Shtenger, ipeshkëv i Trojesit dhe president
i organizatës kishtare në Francë. “Pashkët me të krishterët e Irakut”: kështu quhet
iniciativa, në të cilën do të impenjohen deri më 19 shkurt, 10 anëtarët e delegacionit,
që do të takohen me bashkësitë e krishtera të zonave ku ato jetojnë në mes të dhunës,
në kushte shumë të këqia e krejtësisht të braktisur e të harruar. Shumë nga familjet
kanë pësuar vrasje dhe rrëmbime – thuhet në një komunikatë të Pax Christi-t. Ndërkaq
në Irak vazhdojnë atentatet. Tre bomba shpërthyen sot në zonën juglindore të Bagdadit,
pikërisht gjatë vizitës dy-ditore të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts.
Dje, shpërthimi i një autobombe në tregun e qytetit të Baladit shkaktoi mëse 30 viktima.