2008-02-10 07:06:26

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar.


(10.02.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e parë të Kohës së Krezhmëve. U përkujtuan edhe Shën Skolastika virgjër, motra e Shën Benediktit dhe shenjtorët Zotiku, Gjaçinti e Amanci, martirë .

Nesër, e hënë, është festa e Zojës Lurdë. Kremtohet 150-vjetori i dukjeve të Zojës në Shpellën e Masabielës. Liturgjia na kujton se Dhjetë urdhërimet e Tënzot përmbushen plotësisht në ligjin e dashurisë, që e solli Jezusi e se pikërisht mbi bazën e dashurisë do të gjykohemi!

Një nga të rejat që solli Jezusi, është mundësia për ta thirrur Hyjin Atë. E kjo na krijon lidhje të reja me Të: nuk jemi më thjeshtë besimtarë, që duhet t’i nështrohen Hyjit, por bij që mund ta përqafojnë Atin e tyre. Këtë na kujton liturgjia në festën e Shën Benediktit të Anianit dhe të Shën Saturninit me shokë, martirë të Abitenes, që do të përkujtohen të martën.

 
Jordani i Saksonisë, meshtar domenikan dhe Maura e Foska, që Kisha do t’i festojë të mërkurën, na kujtojnë fjalët e Ungjillit: “Ty, o Zot, të pëlqen zemra e penduar. Ti nuk e përbuz zemrën e thyer e të përvuajtur; ti e shikon si thesar pendesën e zemrës e kthesën e madhe, që të çon në rrugën e Hyjit”.

Të enjten, është festa e Shën Çirilit, murg dhe e Shën Metodit, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës dhe e njërit nga shenjtorët që vijon të bëhet gjithnjë më popullor, Valentinit. Dy vëllezërit ungjillëzues të trojeve sllave realizojnë mirë profecinë e Izaisë: për njeriun që takohet me të Ngjallurin, detyra më kryesore është kumtimi i dashurisë së Krishtit.

 
“Na fal, o Zot, e ne do të jetojmë” – është lutja që jehon fuqishëm në festën e Shën Onezimit, nxënës i Shën Palit dhe Shenjtorëve Faustini e Gjovita, martirë, që do të festohen të premten.

Lum kush është besnik i ligjit të Zotit! Po cili është ky ligj? I Moisiut? Apo i Krishtit? Liturgjia e festës së Shën Julies (Gjylianës), virgjër e martire, që do të kremtohet të shtunën – na kujton se Jezusi nuk dëshiron ta shlyejë ligjin e Moisiut, por të na ndihmojë të hyjmë më në thellësi të së vërtetës, të kuptojmë se duke e shkarkuar veten nga gjërat e panevojshme, i ngjasim më shumë Atit qiellor.

E diela e ardhshme është e dyta e Krezhmëve, një hap i ri përpara drejt Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.