2008-02-10 12:41:14

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(10.02.2008 RV)RealAudioMP3 10 shkurt: Patriku, meshtari që luftoi kundër druidëve.
Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur për gjashtë vjet me radhë.
Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë…
E di se misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve.
Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar. Dy hapa më tutje kremtohet një festë për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve, tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë.
Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla gjakatare, Patriku zemrohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë falje, në se duan të mbeten të krishterë. E vetmja rrugë për të fituar respektin, është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve.
Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë. Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shemull: për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është një Hyj i vetëm”Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj!







All the contents on this site are copyrighted ©.