2008-02-09 16:06:21

Papa: "Të thellohet e vërteta antropologjike mbi burrin e gruan; jo rrymave kulturore që kërkojnë t’i sheshojnë ndryshimet seksuale".


(09.02.2008 RV) Përballë rrymave kulturore, që duan t’i sheshojnë ndryshimet seksuale të shkruara nga vetë natyra njerëzore, duhet rikujtuar plani i Hyjit mbi burrin e mbi gruan: këtë vërejti sot Papa në audiencën me pjesëmarrësit në takimin, organizuar me rastin e 20-vjetorit të Letrës Apostolike Mulieris Dignitatem të Gjon Palit II.
Hyji i beson gruas e burrit, sipas veçorive të tyre, një detyrë e një mision të veçantë në Kishë e në botë - reflektoi Benedikti XVI, duke ripohuar me forcë se marrëdhëniet burrë-grua janë një pikë kryesore e çështjes antropologjike, prej këndej, me rëndësi vendimtare për kulturën bashkëkohore. Prandaj – shpjegoi Papa Racinger - me Enciklikën e tij kushtuar gruas, Gjon Pali II deshi të thellonte njohuritë mbi të vërtetat antropologjike themelore mbi burrin e mbi gruan, mbi barazinë në dinjitetin e në unitein e të dyve, mbi ndryshimin e thellë ndërmjet natyrës mashkullore e asaj femërore dhe misionin e tyre për të bashkëpunuar reciprokisht e për të plotësuar njëri-tjetrin.
“Por, kur burri e gruaja pretendojnë të jenë të pavarur e plotësisht vetveprues, rrezikojnë të mbyllen në vetrealizimin e tyre, që e konsideron si fitore të lirisë kapërcimin e çdo pengese natyrore, shoqërore e fetare, por që në të vërtetë i mbyll të dy në një vetmi mbytëse”.
Uniteti dypalësh i burrit dhe i gruas – vijoi Papa – bazohet mbi dinjetetin e çdo njeriu të krijuar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Hyjin, duke shmangur si uniformitetin, që s’bën kurrfarë dallimi, e ngjashmërinë e plotë dhe varfëruese, ashtu edhe ndryshimet e papërkueshme e konfliktuale.
Prej këndej Benedikti XVI pohoi nevojën e një kërkim i ri antropologjik i cili, mbi bazën e traditës së madhe të krishterë, të mishërojë progreset e reja të shkencës dhe të dhënat e qëndrimeve të sotme kulturore. Kështu mund të thellohen njohuritë jo vetëm mbi identitetin femëror, por edhe mbi atë mashkullor, i cili jo rrallë bëhet objekt reflektimesh të pjesëshme e ideologjike.







All the contents on this site are copyrighted ©.