2008-02-09 13:07:44

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(09.02.2008 RV)9 shkurt: Në Koncilin e Efezit pohohet: “Marinë mund ta quajmë ‘Nëna e Zotit”.
Çirili, Patriku shenjt i Aleksandrisë, e humbet krejtësisht durimin: nuk është në Efez për t’u dëfryer. Ka ardhur e ka kaluar koha për ta deklaruar koncilin të hapur.
Por, ç’do të thotë Koncil? Është një mbledhje e ipeshkvijve të mbarë botës, në të cilën marrin pjesë edhe disa burra të ditur, specialistë për çështjet fetare. Këta njerëz të shquar mblidhen për të reflektuar mbi një temë, që i përçan të krishterët. Gjatë Koncilit flitet shumë e, në fund, të gjithë ipeshkvijtë duhet të arrijnë në një mendim. Shkruajnë, atëherë, një tekst, që përmbledh përfundimet e përbashkëta. Ky tekst e zgjidh përfundimisht problemin e të gjithë të krishterët duhet ta pranojnë.
Në vitin 431 ‘problemi’ është Virgjëra Mari! Ipeshkvijtë duhet të marrin një vendim të vështirë: “Maria, është apo s’është Nëna e Zotit?’. Çirili nuk e vë në diskutim e memzi ç’pret të ndeshet me kundërshtarin, Nestorin, Patrikun e Kostandinopojës, i cili pohon se Zoti nuk mund të jetë bir i një gruaje. Vetëm kur e mendon, Çirili zemërohet keqas: duke pohuar këtë, Nestori arrin edhe në përfundimin se Jezusi, që ka lindur nga Maria, nuk mund të jetë Zot. Qëndrimi i tij e vë në dyshim krejt fenë e krishterë. Jo, Çirilit as nëpër mend s’i shkon të lëshojë pe: Jezusi është Zoti. U mishërua, duke lindur nga një grua, por mbeti Zot, ndonëse ishte edhe njeri. Prej këndej nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi se Maria është me të vërtetë Nëna e Hyjit.
Kanë kaluar tashmë disa ditë, por një pjesë e mirë e ipeshkvijve nuk kanë arritur ende në Efez. E kjo nuk çudit askënd. Janë nisur në këmbë, me anije ose me gomarë nga vende tepër të largëta, prandaj shtegtimi i tyre zgjat pambarimisht. Kur Çirili vendos ta hapë Koncilin, disa kundërshtojnë: nuk kanë arritur akoma përfaqësuesit e Sirisë e të Romës.
“Jemi njëqind e pesëdhjetë” – thotë padurueshëm Çirili, “kaq mjaftojnë!”. Ndjen kënaqësi vetëm duke menduar se mungojnë sirianët, miqtë e Nestorit.
Nestori dënohet menjëherë. Miqtë e tij sirianë arrijnë pas tri ditësh e tërbohen fare: nuk e pranojë dënimin e mikut të tyre. E kështu nis skizma. Skizmë do të thotë përçarje, largim i disa të krishterëve, të cilët nuk janë më njëmendje me Kishën e nuk e njohin më Papën si Kryebari. Por kësaj here skizma nuk është e thellë e bashkimi do të rivendoset vetëm dy vjet më vonë, kur të gjithë do të jenë përsëri njëmendje. Kisha e shekujve që do të vinin, do të pranonte qëndrimin e Çirilit. “Hyji deshi të vinte në botë duke lindur nga një grua: prandaj Marinë mund ta quajmë "Nëna e Zotit".







All the contents on this site are copyrighted ©.