2008-02-07 17:15:37

Të rinjtë, ungjillëzimi e sfida edukative, në qendër të takimit të Benediktit XVI me klerin e dioqezës së Romës.


(07.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Ta ndihmojnë njeri tjetrin” - ky këshill i Papës ishte në qendër të vëmendjes në takimin e sotëm me famullitarët e me klerin e dioqezës së Romës, mbajtur në Sallën e Bekimeve, në Vatikan. Ashtu si në tre takimet e viteve të kaluara, Papa iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjeve të meshtarëve, të cilët i folën ipeshkvit të tyre me dashuri e sinqeritet. Pyetjet kryesore i bënë dhjetë meshtarë, të cilët prekën temën e të rinjve, të ungjillëzimit dhe të edukimit.
Në plan të parë të këtij takimi ishin të rinjtë. Sot - tha Papa, duke iu përgjigjur njërës nga pyetjet - nuk është aspak e lehtë që të rinjtë të jetojnë si të krishterë, sepse janë nën ndikimin e fuqishëm të stileve të jetës, që sundojnë botën tonë. Atëherë është e domosdoshme që meshtarët të dëshmojnë se ne mund ta njohim me të vërtetë Hyjin, se mund të jemi miq të Tij e të ecim së bashku me Të. Benedikti XVI theksoi rëndësinë e pranisë së Zotit në fushën e edukimit. Nuk mjafton kurrë – tha Ati i Shenjtë, duke kujtuar Letrën e tij drejtuar dioqezës së Romës – përgatitja profesionale, në se nuk shoqërohet edhe me formimin e zemrës, me praninë e Zotit. Nga ana tjetër – vijoi – të njohësh Ungjillin është një aspekt i rëndësishëm i formimit kulturor.
Më pas Ati i Shenjtë u ndal tek Krezhmët. Në një kohë inflacioni fjalësh e figurash – shpjegoi Papa – kemi nevojë t’i krijojmë hapësirë Fjalës së Hyjit, sepse agjërimi i korpit nuk mjafton:
“Më duket se koha e Krezhmëve mund të jetë edhe kohë e agjërimit për fjalët e figurat, sepse kemi nevojë për heshtje. Kemi nevojë për një hapësirë, në të cilën nuk bombardohemi nga figurat (…) për një hapësirë heshtjeje, për t’ia rihapur zemrën tonë figurës së vërtetë e Fjalës së vërtetë”.
Në përgjigjen që i dha, më pas, një meshtari indian, në Romë prej vitesh, Papa foli për temën e ungjillëzimit, duke cituar Notën mbi këtë temë, miratuar kohët e fundit nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Dialog – ripohoi Ati i Shenjtë – do të thotë respekt për tjetrin. Por kjo përmasë e dialogut, kaq e nevojshme - saktësoi Benedikti XVI – nuk e përjashton kumtimin e Ungjillit, dhuratë e së Vërtetës, të cilën nuk mund ta mbajmë vetëm për vete, por duhet t’ia japim edhe të tjerëve. Misioni nuk është imponim, por dhurim i Fjalës së Zotit. Ta lemë mënjanë këtë dhurim, do të thotë të lëmë pas dore një nga detyrat më të rëndësishme. Do të ishim të pafe edhe ne vetë, në se nuk do ta kumtonim fenë tonë, natyrisht duke respektuar plotësisht lirinë e tjetrit. Neve – thonë shumë jo të krishterë - shtoi Papa – na ndihmon prania e krishterimit edhe në se nuk bëhemi të krishterë. Gandi për shembull – kujtoi Benedikti XVI – Predikimin e Malit e pati si pikëmbështeje gjatë gjithë jetës së tij. Puna misionare është themelore. Dialogu e misioni nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi, e kujtojnë njëri-tjetrin. Thamë se Papës iu drejtuan dhjetë pyetje, disa nga të cilat posaçërisht impenjative. Njërës prej tyre Ati i Shenjtë i dha një përgjigje, që krijoi atmosferë humori në sallë:
“Faleminderit për këtë ndërhyrje. Natyrisht ju e dini mirë se pyetjet janë aq të gjata, sa do të na duhej së paku një semestër teologjie për t’ iu përgjigjur”.
Papa, pastaj, u ndalua tek rëndësia që ka për njeriun kujtimi i fundit të tij, i vdekjes, gjykimit, Ferrit e Parajsës, të cilave mund t’u shtojmë edhe Purgatorin, duke pohuar se ndoshta sot Kisha flet tepër pak për mëkatin, për Parajsën e Skëterrën. Prandaj – theksoi Papa – në Enciklikën time ‘Spe salvi’ fola për Gjyqin universal. Kush nuk e pranon Gjyqin e Mbram - theksoi me forcë Benedikti XVI – nuk pranon mundësinë e falimentimit dhe nevojën e ringjalljes. Ai që nuk punon për Parajsën – shpjegoi më pas – nuk punon as për të mirën e njerëzve mbi tokë. Nazizmi e komunizmi – pohoi Ati i Shenjtë – që donin ta ndryshonin botën, e shkatërruan, pikërisht sepse punuan për Ferrin e jo për Parrizin, duke i shndërruar vendet tyre në një ferr të vërtetë mbi tokë.
Në përfundim Papa vuri theksin mbi rolin gjithnjë më të rëndësishëm të diakonëve, që në Romë janë më se njëqind, duke kujtuar se duhen falënderuar Etërit e Koncilit II të Vatikanit për rivlerësimin e këtij roli, që lidh botën laike me atë meshtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.