2008-02-07 14:26:10

Drama “Nënë Tereza për të varfërit, si e varfër” në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë


(7.2.2008 RV)Më 8, 9 dhe 10 shkurt në Tiranë në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet premiera e dramës “Nënë Tereza për të varfërit, si e varfër”, një realizim i kompanisë teatrore “Tirana”. Është momenti i thirrjes, atëherë kur Gonxhja Bojaxhiu e dëgjon thirrjen e Zotit dhe vendos t'u kushtohet njerëzve. Eshtë hera e parë në trevat shqiptare që në një skenë teatrore ngjitet një dramë kushtuar të Lumes shqiptare, Nënë Terezës. Teksti i dramës është shkruar nga aktori Lazër Filipi, i cili ia ka besuar regjinë regjisorit Bruno Shllaku. Sipas Filipit, njerëzit të lodhur nga trysnitë politike dhe nga dhuna që demonstrohet kudo, edhe në art, kanë mundësi të ndjekin një vepër që ofron mirësi dhe paqe. "Ne jemi të bindur që nëpërmjet kësaj drame do të përcjellim mirësinë e Nënë Terezës, dashurinë e saj për të varfrit, si e varfër", - thotë Lazër Filipi, ndërsa shton se pas premierës në Tiranë do të ketë edhe premierë në Prishtinë.
Për regjisorin Bruno Shllaku është një kënaqësi e veçantë të punojë për këtë shfaqje. Një vepër që mban pasaportën shqiptare, ku i mëshohet fort identitetit shqiptar, por që nuk mbetet në qerthullin lokal dhe merr përmasa universale. "Kjo nuk është një shfaqje që i takon vetëm teatrit shqiptar, por është një premierë të përbotshme", - thotë Shllaku. Realizuesit e kësaj vepre shpresojnë që ajo të jetë në lartësinë e duhur, ashtu siç e meriton një figurë si Nënë Tereza.







All the contents on this site are copyrighted ©.