2008-02-07 17:32:43

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(07.02.2008 RV)RealAudioMP3 7 shkurt: Melania e Piniani që u bënë të varfër, për të ecur pas Krishtit.
Një karvan i çuditshëm drejtohet nga pallati i mbretëreshës Serena. Ndërmjet burrave e grave, veshur me rroba luksi, stolisur me brilante vezulluese, me ar e argjënd, ecën edhe një grua e mbështjellë me një tunikë të vjetër. Quhet Melani e shkon t’i kërkojë diçka të pazakontë gruas së perandorit.
Në të vërtetë Melania nuk është aspak e varfër. Përkundrazi. Është një nga gratë më të pasura të perandorisë romake. Por edhe ajo ka një shqetësim, të madh madje. Shkon t’i kërkojë Serenës ndihmë për të hequr dorë nga të gjitha pasuritë. Pasi i ka bërë dhurata të çmuara sovranes dhe oborrtarëve të saj, Melania nis të flasë me një ton të qetë e të vendosur.
“Madhëri, unë jam Melania, gruaja e Pinianit. Unë e im shoq duhemi. Siç e dini jemi pambarimisht të pasur, por, Madhëria Juaj, këto pasuri nuk na interesojnë fare. Duam të ndahemi një herë e mirë prej tyre. Të heqim dorë. Prandaj jam këtu, për të kërkuar ndihmën tuaj…”.
Një murmurimë çudie pushton sallën e pritjeve. Oborrtarët nuk i miratojnë fjalët e çuditshme, në mos po të padëgjuara, të gruas së veshur me zhgun. Mbretëresha bën një shenjë me dorë e salla zhytet në heshtje. Pastaj e pyet Melaninë:
“A mund ta dimë pse e keni marrë një vendim të tillë?”.
“Shko, shit gjithçka ke e faljau skamnorëve e ke për të pasur një visar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua – përgjigjet thjeshtësisht e reja romake. Janë fjalët e Krishtit, Lartmadhëria Juaj. Edhe ju i keni dëgjuar, sepse jeni e krishterë. Këto fjalë na tingëllojnë si thirrje: unë e Piniani duam t’i përgjigjemi thirrjes së Krishtit me të gjitha forcat tona, por për fat të keq, nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk është e lehtë të bëhesh i pasur. Por qenka edhe më e vështirë të bëhesh i varfër…” – shton Melania me një buzëqeshje të druajtur. “Të dyja familjet tona i përkasin rendit të senatorëve e prandaj një pjesë e pasurisë sonë është pronë e shtetit. Ne duam t’i shesim pasuritë tona e t’ua ndajmë të varfërve, por senati as që do t’ia dijë e na kërcënon se do të na akuzojë për grabitje, në se dhurojmë qoftë edhe një copëz nga toka jonë ose nga pronat e tjera që zotërojmë. Na jepni, ju lutem, leje të ndahemi nga të mirat tona e të ndjekim Krishtin”.
Murmurima rifillon, por ndërpritet menjëherë nga zëri i Serenës, që miraton me një fjalë të vetme: “Ashtu qoftë!”. E pak minuta më pas, vijon: “Nuk do t’ju mungojë ndihma ime, keni leje t’i shisni të gjitha pasuritë tuaja. Madje do të bëj diçka më shumë: do të merrem vetë, drejtpërdrejtë me çështjet burokratike”.Feja e madhe e gruas së re, veshur me zhgun e ka prekur thellë zemrën e mbretëreshës. Në sallën e pritjeve bie përsëri heshtja e thellë. Të gjithë e ndjekin me sy Melaninë që largohet. E shikojnë të tronditur në shpirt këtë grua të re, të pashme, që heq dorë nga të gjitha të mirat, për të ruajtur vetëm një pasuri, pasurinë e vërtetë, të cilën mund ta ndajë me të gjithë: “Dashurinë e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.