2008-02-06 18:09:32

Benedikti XVI: homelia në Kremtimin Eukaristik me bekimin e hirit e përhimjen (Tekst i plotë)


(06.02.2008 RV)Në se Koha e Ardhjes është kohë që na fton të shpresojmë në-Zotin-që vjen, Krezhmët na mbushin me shpresë në Atë- që na bëri- të kalojmë-nga vdekja- në jetë. Të dyja janë kohë pastrimi – këtë e thotë edhe ngjyra liturgjike e njëllojtë – por në mënyrë të veçantë Krezhmët, plotësisht të orientuara nga misteri i Shëlbimit, quhen ‘ecje drejt pendimit të vërtetë’. Në fillim të këtij shtegtimi pendestar, dëshiroj të reflektoj shkurtimisht për lutjen e për vuajtjen, si aspekte kryesore të kohës liturgjike krezhmore, ndërsa praktikës së lëmoshës i kushtova Mesazhin e Krezhmëve, botuar javën e kaluar. Në Encilklikën ‘Spe Salvi’ fola për lutjen e për vuajtjen, së bashku me veprimin e gjykimin, si mjete për kuptimin dhe ushtrimin e shpresës. Prej këndej mund të pohojmë se koha e krezhmore, pikërisht sepse na fton të lutemi, të pendohemi e të agjërojmë, është një rast providencial për ta bërë më të gjallë e më të fuqishme shpresën tonë.
Lutja ushqen shpresën, sepse s’ka gjë që e shpreh realitetin e Zotit në jetën tonë, më shumë se lutja. Edhe në vetminë e provës më të vështirë, askush e asgjë nuk mund të më pengojë t’i drejtohem Atit qiellor, në fshehtësinë e zemrës sime, ku shikon vetëm Ai, siç shprehet Jezusi në Ungjill. (cfr. Mt 6,4.6.18). Të vijnë në mendje dy çaste nga jeta tokësore e Jezusit, njeri në fillim e tjetri gati në mbarim të jetës së Tij publike: 40 ditët në shkretëtirë, të cilat i përkujton Koha e Krezhmëve, dhe agonia në Gjetseman – që të dyja çaste themelore lutjeje. Lutja me Atin, në vetmi, vetëm për vetëm në shkretëtirë e lutja përplot me ankthin mortor, në Kopshtin e Ullinjve. Por, si në njërën, ashtu edhe në tjetrën rrethanë, pikërisht duke u lutur, Krishti ia çjerr maskën tunduesit dhe e mund. Kështu mund të themi se lutja është ‘arma’ e parë e kryesore për të ngadhënjyer në betejën kundër shpirtit të së keqes.
Lutja e Krishtit arrin kulmin në kryq, ku Zoti thotë fjalët e fundit, të mbledhura nga Ungjilltarët. Atje ku duket se shpërthen në një britmë dëshpërimi: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”. (Mt. 27, 46); Mk. 15,34; cfr Sal 21,1), në të vërtetë Krishti bën të vetën lutjen e njeriut që, i rrethuar pa shpresë, nga armiqtë, provon hirin dhe shpëtimin. Prandaj mund të themi se nuk ka kundërvënie ndërmjet ankimit: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”, dhe fjalëve plot besim bijnor: “Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!”(Lk 23,46; cfr Ps. 30,6) Edhe këto janë marrë nga një Psalm, i 30-ti, lutje dramatike e një njeriu që, i braktisur nga të gjithë, ia beson plotësisht vetveten Hyjit. Lutja plot shpresë është edhe lajtmotiv i Krezhmëve e na bën ta shikojmë Hyjin si spirancën e vetme të shpëtimit. Duke qenë kolektive, lutja e popullit të Hyjit është zë i një zemre të vetme e i një shpirti të vetëm, është dialog vetëm për vetëm, ashtu si lutja e mbretëreshës Ester, kur populli i saj është në rrezik të shfaroset: “O Hyj im, mbreti ynë, ti je i vetmi! Më ndihmo, sepse jam qyqevetëm e nuk kam tjetër Mbrojtës, veç teje, o Zot, sepse vetveten po e vë në rrezik. Duku, o Zot, o Zot!”(Est 4, 17q). Përballë rrezikut të madh, edhe shpresa duhet të jetë e madhe, e kjo shpresë mund të vijë vetëm nga Zoti.
Lutja është një kalitje, përmes së cilës shpresa e dëshirat tona shikohen në dritën e Fjalës së Hyjit, zhyten në dialogun me atë, që është e vërteta dhe dalin të çliruara nga gënjeshtrat e fshehura dhe nga kompromiset e format e ndryshme të egozimit (cfr. Spe salvi, 33). Pa përmasën e lutjes uni njerëzor mbyllet në vetvete e ndërgjegja, që duhet të jetë jehonë e zërit të Zotit, rrezikon të katandiset në pasqyrë të vetvetes, kështu që biseda shpirtërore bëhet monolog, i cili kërkon të gjejë mijëra vetpërligjje. Lutja është edhe garanci për t’ia hapur zemrën të tjerëve: na bën të lirë për Hyjin e kërkesat e tij, e njëkohësisht të tjetrit, të vëllaut, që troket në portën e zemrës e kërkon dëgjim, vëmendje, falje, nganjëherë edhe qortim, por gjithnjë me dashuri vëllazërore. Lutja e vërtetë nuk është kurrë egocentrike, por gjithnjë e përqëndruar tek tjetri. Si e tillë, ajo e ushtron njeriun që lutet për të provuar ekstazën e dashurisë, e bën të aftë të dalë nga vetja, për t’u bërë i afërt me tjetrin në shërbimin e përvujtë e pa kurrfarë interesi. Lutja e vërtetë është motori që vë në lëvizje botën, sepse ia hap portat e saj Zotit. Prandaj pa lutje, nuk ka shpresë, por vetëm iluzion. Nuk është prania e Hyjit ajo që e tjetërson njeriun, po mungesa e Tij: pa Hyjin e vërtetë, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit, shpresat bëhen iluzione që të shtyjnë të arratisesh nga realiteti. Të flasësh me Hyjin, të rrish në praninë e Tij, ta lesh veten të ndriçohesh e të pastrohesh nga Fjala e Tij, na çon në zemër të realitetit, në thellësitë e Motorit kozmik, në zemrën pulsuese të universit.
Në lidhje të harmonishme me lutjen edhe agjërimi e lëmosha mund të konsiderohen mjete për kuptimin e ushtrimin e shpresës së krishterë. Etërit e Kishës dhe shkrimtarët e lashtë nënvizojnë se këto tri përmasa të jetës ungjillore, janë të pandashme, fekondohen reciprokisht e, sa më shumë të lidhen ngushtë me njëra tjetrën, aq më shumë fryte sjellin. Falë veprimit të përbashkët të lutjes, agjërimit e lëmoshës, Krezhmët në tërësinë e tyre i bëjnë të krishterët burra e gra të shpresës, sipas shembullit të shenjtorëve.
Dëshiroj tani të ndalem edhe tek vuajtja, sepse, siç kam shkruar në Enciklikën ‘Spe salvi’, “masa e humanitetit varet thellësisht nga lidhja me vuajtjen e me njeriun që vuan”. Kjo vlen si për individin, ashtu edhe për shoqërinë.”(Spe salvi, 38). Pashkët, drejt të cilave na çojnë Krezhmët, janë misteri që i jep kuptim vuajtjes njerëzore, duke u nisur nga begatia e madhe e mëshirës së Hyjit, realizuar në Jezu Krishtin. Shtegtimi krezhmor, plotësisht i ndriçuar nga rrezet e dritës së Pashkëve, na bën të rijetojmë atë që ndjeu zemra hyjnore-njerëzore e Krishtit, ndërsa ngjitej në Jeruzalem për të mbramen herë, për të falur vetveten si flije shpërblyese (cfr Is. 53. 10). Vuajtja e vdekja ranë mbi të si errësira, hap pas hapi, në sa i afrohej kryqit, por njëkohësisht flakëroi edhe flaka e dashurisë. Vuajtja e Krishtit përshkohet e tëra nga dashuria (cfr Spe salvi, 38); nga dashuria e Atit, që e lejon Birin të shkojë plot besim drejt ‘pagëzimit’ të fundit, ashtu si e quan ai vetë kulmin e misionit të tij. (cfr Lk 12,50) Këtë pagëzim dhimbjeje e dashurie Jezusi e mori për ne, për mbarë njerëzimin. Vuajti për të vërtetën e drejtësinë, duke sjellë në historinë e njerëzve, ungjillin e vuajtjes, që është faqja tjetër e Ungjillit të dashurisë. Hyji nuk mund të vuajë, por mund e do të bashkëvuajë. Nga mundimet e Krishtit mund të hyjë në çdo vuajtje njerëzore, ngushëllimi i dashurisë, në të cilën merr pjesë Hyji, duke ndezur yllin e shpresës” (Spe salvi, 39)

Historia e Kishës është shumë e pasur me dëshmitarë të vuajtjes e të shpresës, që e shkrinë pa kursim gjithë jetën për të tjerët, me çmimin e vuajtjeve të rënda. Sa më e madhe të jetë shpresa, aq më e madhe është edhe aftësia jonë që të vuajmë për dashurinë ndaj së vërtetës e të së mirës, duke ofruar me gëzim mundimet e vogla e të mëdha të çdo dite e duke marrë pjesë në bashkëvuajtjen e madhe të Krishtit (cfr ivi 40).Na ndihmoftë në këtë shtegtim përsosjeje ungjillore Maria, zemra e së cilës, së bashku me atë të të Birit, u shporua nga shpata e dhimbjes. Pikërisht këto ditë, duke kujtuar 150-vjetorin e dukjeve të Zojës së Lurdës, jemi të thirrur të meditojmë mbi misterin e vuajtjeve të Marisë, së bashku me të Birin, për shpëtimin e njerëzimit; njëkohësisht inkurajohemi të marrim ngushëllim nga thesari i mëshirës (ibid) së Kishës, për të cilin ajo ka ndihmuar më shumë se çdo krijesë. T’i fillojmë pra, Krezhmët, në bashkim shpirtëror me Marinë, që eci në shtegun e fesë pas të Birit (cfr Lumen gentium, 58) e që u paraprin gjithnjë nxënësve në shtegtimin drejt dritës së Pashkëve. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.