2008-02-05 16:29:35

Nesër, e Mërkura e Përhime, proçesioni pendestar dhe Mesha e Papës për fillimin e Krezhmëve në Bazilikën e Shën Sabinës në Aventin.


(05.02.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër, dita e parë e Krezhmëve, Benedikti XVI do të kryesojë, në orën 16. 30, proçesionin pendestar të së Mërkurës së Përhime, duke u nisur nga Kisha e Shën Anselmit në Aventin, për të arritur tek Bazilika e Shën Sabinës. Këtu Benedikti XVI do të kremtojë Meshën me ritin e bekimit dhe të përhimjes. Në prag të Krezhmëve, çast që i fton gjithë të krishterët të luten, të agjërojnë e sidomos, të pendohen, po kujtojmë disa meditime të Benediktit XVI për kohën krezhmore.
Krezhmët janë kohë e përshtashme për shtegtimin shpirtëror drejt Atij, që është burim i mëshirës. Në Mesazhin e tij të parë krezhmor 2006, Benedikti XVI i përshkruan Krezhmët si ‘shtegtim’ në të cilin Jezusi na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar të ecim në udhën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve. Krezhmët - ripohon Papa në audiencën e përgjithme të së Mërkurës së Përhime të vitit të kaluar – janë stinë shpirtërore e përshtatshme, që na krijon kushtet të ushtrohemi për ta kërkuar më me ngulm Zotin, duke i lënë mënjanë planet kalimtare të suksesit personal, për të zbuluar forcën e dashurisë së Hyjit e të mëshirës së tij për njerëzit e ligësht. Fjalë këto, që pasohen nga një reflektim mbi kuptimin e vërtetë të pendesës së krishterë:
“Pendesa nuk është përpjekje për realizmin e vetvetes, sepse njeriu nuk është arkitekt i fatit të tij të amshuar. Nuk jemi ne që e kemi bërë vetveten, prandaj vetrealizimi është jo vetëm kundërshti, por edhe tepër pak për ne: kemi një qëllim shumë më të lartë. Të kthehesh në rrugën e Zotit do të thotë të pranosh lirisht, me dashuri që të varesh në gjithçka nga Zoti, me bindjen se kjo nuk është varësi po liri. Të bësh kthesë do të thotë të mos rendësh pas suksesit vetjak, që kalon, por duke hequr dorë nga siguria njerëzore, ta ndjekësh me thjeshtësi e besim Zotin, në mënyrë që Jezusi të bëhet për të gjithë, ashtu siç ishte për të Lumen Nënë Terezë, që përsëriste vazhdimisht: “Krishti për mua është gjithçka”.
Në mesazhin për Krezhmët 2007, në qendër të vëmendjes ishte drama e Kalvarit, misteri i dashurisë që kryhet mbi Golgotë, zbulesa e agape-s e eros-it të Hyjit, me të cilat Zoti e do njerëzimin. Papa i ftoi besimtarët të ndalohen, me Marinë e Gjonin, nxënësin e dashur, pranë Atij që flijohet në kryq për shpëtimin e mbarë njerëzimit. Në këtë kohë pendese e lutjeje, Ati i Shenjtë i nxit të gjithë besimtarët t’i sjellin sytë nga Krishti i kryqëzuar i cili, duke vdekur mbi Kalvar, na zbuloi plotësisht dashurinë e Hyjit. Ja si e nënvizon Papa thellësinë e këtij vështrimi, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 25 shkurtit 2007, në të dielën e parë të Krezhmëve:
“Duke shikuar Krishtin, e ndjejmë se edhe ai na shikon ne. Ai, që ne vetë e shporuam me fajet tona, vijon të ndikojë mbi botën, pa u lodhur kurrë, një përrua dashurie përdëllyese”.
Kthesa në rrugën e Hyjit është përmasa themelore e Kohës së Krezhmëve. Papa e ripohon edhe në Mesazhin krezhmor të sivjetëm, në të cilin nënvizon se lëmosha ungjillore nuk është thjesht filantropi; nuk duhet të jetë as përpjekje tinzare për të kërkuar interesin personal dhe admirimin e të tjerëve, aq më pak mjet për të vënë në dukje vetveten. Lëmosha, ashtu si lutja e agjërimi, duhet ta ndihmojnë njeriun të pastrohet shpirtërisht.
Ndërsa më 21 shkurtin e kaluar, në Meshën për të Mërkurën e Përhime, Papa u shpreh kështu:
“Agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me arsye fizike ose estetike. Lidhet ngusht me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e tij nga mëkati e nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes, e bën më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve. Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset”.

T’i jetojmë, prandaj, këto dyzet ditë hiri të posaçëm, si kohë eukaristike.







All the contents on this site are copyrighted ©.