2008-02-05 17:51:05

Benedikti XVI modifikon Lutjen për Hebrenjtë në liturgjinë e së Premtes së Madhe, sipas Mesharit Romak.


(05.02.2008 RV)U botua sot në ‘L’Osservatore Romano’ një notë që njofton udhëzimin e Papës për të zëvendësuar tekstin e Lutjes për Hebrenjtë në liturgjinë e së Premtes së Madhe, sipas Mesharit Romak, botuar në vitin 1962 nga i Lumi Gjoni XXIII. Zëvendësimi synon t’u përgjigjet vërejtjeve që u bënë pas botimit të Motu Proprio Summorum Pontificum të 7 korrikut 2007, dokument papnor që krijon mundësitë për të përdorur variantin e fundit të Mesharit Romak, botuar para Koncilit II të Vatikanit.
Teksti i ri i Lutjes për Hebrenjtë, sipas përkthimit jo zyrtar është: “Të lutemi për Hebrenjtë. Zoti, Hyji ynë, ua ndriçoftë zemrat, që ta njohin Jezu Krishtin, Shëlbuesin e të gjithë njerëzve. O Hyj i Gjithëpushtetshëm e i amshuar, Ti dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtojnë e ta njohin të vërtetën; jepu, prandaj, hirin që, duke hyrë tërë popujt në Kishën tënde, mbarë Izraeli të shëlbohet”.Duhet nënvizuar se mundësia që Meshari Romak i 1962-it të përdoret gjatë Triditshes së Shenjtë, është e jashtzakonshme dhe ka të bëjë vetëm me grupe të veçanta.







All the contents on this site are copyrighted ©.