2008-02-05 16:37:11

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(05.02.2008 RV)RealAudioMP3 5 shkurt: Ambrozi, njeriu që e shtrëngoi perandorin të bënte pendesë.
Në mbarim të shekullit IV, në Milano, katekumenëve, dmth atyre që përgatiten të marrin Pagëzimin Natën e Pashkëve, u jep mësim vetë ipeshkvi, Ambrozi.
“Për ne Krishti është gjithçka” – shpjegon ipeshkvi. “Është mjek për të plagosurin; ujë freskues për atë që digjet nga ethet; drejtësi për të shtypurin; jetë për njeriun që trembet nga vdekja; forcë për të ligështin; rrugë për atë që kërkon qiellin; dritë për njeriun që nuk e do errësirën…”.
“Po ti, a e kupton atë që thotë!” – pyet me zë të ulët një katekumen, mikun e vet aty pranë.
“Për ta kuptuar Ambrozin, duhet të njohësh vetë jetën!”- i shpjegon ky i fundit.
“Krishti është për të i vetmi model, gjithnjë, gjithkund, në gjithçka. Ambrozi është avokat e edhe governator i provinçës së Milanos: po të donte, do të kishte bërë karrierë të shkëlqyer politike e sot do të ishte një nga personalitetet më të fuqishme e një nga njerëzit më të pasur të perandorisë romake… Por hoqi dorë nga të gjitha, për Krishtin. Kur të krishterët e Milanos i kërkuan të bëhej ipeshkvi i tyre, Ambrozi pranoi, ndonëse as pagëzuar nuk ishte akoma. Ambrozi është njeri i paqes, që sillet në mënyrë të drejtë me të burgosurit; ndryshe nga governatorërt e tjerë, ai nuk i torturon kurrë. Prandaj edhe e zgjodhëm ipeshkëv...”.
“Po problemet e tjera, si i ka zgjidhur? Apo s’ka pasur fare probleme?”.
“Si s’ka pasur, shumë madje. E të shumtë janë edhe armiqtë që i kundërvihen, sepse i denoncon publikisht për mbrapshtitë e tyre. E urrejnë sidomos pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët presin që fshatarët e vegjël të zhyten në borxhe deri në fyt, që t’ua blejnë, pastaj, tokat për një copë bukë… Ndërsa ipeshkvi ka shitur edhe enët e çmuara të Kishës, për të çliruar gratë e burrat e kapur e të kthyer në skllevër nga barabarët.
“Im atë më ka treguar se e ka vënë veten në rrezik, duke i kërkuar perandorit Teodosi të bënte pendesë…”.
“Më se e vërtetë. Teodosi kishte shtypur me gjak një kryengritje. Ambrozi nguli këmbë që perandori të kërkonte të falur para të gjithëve për këtë masakër. Ishte hera e parë që një ipeshkëv i bënte ballë një perandori dhe e detyronte t’i bindej ligjit të Hyjit”.
Me sa duket “Të ikësh nga errësira e të mbetesh në dritë”, do të thotë t’i bësh gjithë këto gjëra, të cilat ipeshkvi, jo vetëm na i mëson, por kryesisht i jeton vetë i pari, apo jo?” – vijon të pyesë katekumeni.
“Pikërisht!” – i përgjigjet miku. Shën Ambrozi ishte edhe intelektual i shquar. Dëshironte t’u jepte përgjigje të gjitha pyetjeve të epokës së tij. U bë i famshëm për traktatet filozofike e predikimet aq të shkëlqyera, sa ngjallën në shpirtin e Agostinit dëshirën për të marrë Pagëzimin, duke i shtuar radhëve të dijetarëve të Kishës një tjetër ‘Ambroz’.







All the contents on this site are copyrighted ©.