2008-02-04 16:45:58

Rizgjidhet president europesit i Serbisë, Boris Tadiç.


(04.02.2008 RV)Boris Tadiç konfirmohet si president i Serbisë, pas ballotazhit të djeshëm me ultranacionalistin Nikoliç. “Fitoi Serbia, i treguam Evropës se cila është demokracia në Serbi” komentoi Tadiç rezultatin e zgjedhjeve, që i dhanë 50,5% të votave.
Atij i mbetet tani detyra e vështirë për ta mbajtur të bashkuar vendin, që u nda dje më dysh, sidomos mbi dy tema të nxehta të së ardhmes së afërt: humbja e Kosovës dhe integrimi evropian. Për pikën e fundit, Tadiç ka premtuar afate të shkurtra, duke dashur të përfundojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian “brenda mandatit të vet”. E me siguri Brukseli do t’ia lehtësojë rrugën Beogradit, si për sistemin e vizave, ashtu edhe për bashkëpunimin politik, ekonomik e arsimor. Megjithatë, analistë serbë mendojnë se detyra e Tadiçit nuk është aq e thjeshtë. Kryeministri Koshtunica, i cili nuk e mbështeti në zgjedhjen për president, ka mundësi të kërcënojë se do të formojë një qeveri me radikalët e Nikoliçit, ndërsa Tadiç vetë mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme.
Edhe përsa i përket Kosovës, rruga ka pengesa. Tadiç nuk ndodhet në të njëjtat pozita si Nikoliç, por qëndrimi i tij nuk është në favor të pavarësisë së Kosovës. Sot, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Havier Solana deklaroi se, pa dashur të japë këshilla, u bën thirrje autoriteteve të Prishtinës të jenë të kujdesshme për të mos kompromentuar stabilitetin e rajonit. “Realitetin e shohin të gjithë, tha ai në Bruksel. Një vendim duhet marrë në kohë jo të gjata”. Sa mund të ndikojë zgjedhja e Tadiçit në krye të shtetit serb për Kosovën, do të tregojë koha së shpejti.







All the contents on this site are copyrighted ©.