2008-02-04 17:44:31

Fra Shtjefen Pistulli OFM (27.04.1922 – 03.02.2008).


(04.02.2008 RV)Fra Kornel (Shtjefen) Pistulli (Mgushi)
U lind në Pistull më 27.04.1922, u pagëzua po atë ditë dhe mori krezmimin në ditën e Rrëshajëve të vitit 1928.
Më 1930 hyri në Kolegjin Françeskan, ku përfundoi të gjitha klasat fillore deri më 1938.
Më 13.07.1938 filloi Noviciatin në Kuvendin e Lindjes së Zojës në Troshan; ndërsa më 14.07.1939 bëri kushtet e përkohshme po në këtë Kuvend. Ndoqi shkollën e mesme në Liceun Illyricum nga 1939 deri më 1943. Kushtet e përjetshme i bëri në Kuvendin e Shën Françeskut në Gjuhadol më 29.06.1943.
Studioi teologjinë prej vitit 1943 deri në vitin 1946.
U shugurua Diakon në vitin 1955 dhe meshtar nga Imzot Ernesto M. Çoba në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër, më 08.04.1956.
Shërbeu për një kohë të gjatë në famullitë e Selcës (Maj 1956 – Nëntor 1961), të Nikaj-Mërturit (1961) e të Shalës (1962 – 1967).
Gjatë viteve të komunizmit bëri punë të rënda krahu, por pas pak vitesh, në bazë të gjykimit të një komisioni mjeko-ligjor, u cilësua i paaftë për punë fizike.
Prej vitit 1967 deri në vitin 1991 jetoi në familjen e vëllait të tij, Zef Kini (Mgushi) dhe ushtroi shërbimin meshtarak në fshehtësi, duke rrëfyer dhe kunguar besimtarët.
Mbas rënies së komunizmit u vu në shërbim të Provincës, duke u dalluar për bindje ndaj Eprorëve të tij. Qe Guardian i Kuvendit të Shën Mëhillit në Laç dhe Definitor i Provincës.
Vitet e fundit i kaloi duke shërbyer me zell e devocion të madh në Kishën e Shëna Ndout në Laç. Në këtë Kishë shërbeu me devotshmëri për më se 15 vjet. Pati për zemër pajtimin e shpirtrave me Zotin, prandaj për orë e orë ndeji në rrëfyestore deri para pak ditëve, kur gjendja shëndetësore nuk e lejoi më. Njerëzit e njohën si “Frati i Laçit” ose “Rrëfyesi i Shenjtnores së Shëna Ndout”.
Ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare, ditën e diele më 03.02.2008.

  Pushoftë në paqe!
Nga Provinça Françeskane e Zojës Nunciatë, Gjuhadol, Shkodër 







All the contents on this site are copyrighted ©.