2008-02-02 16:19:06

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


03.02.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e katërt të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shëna Vlashi, ipeshkëv i Sebastes e martir e Shën Ansgari (Oskar), ipeshkëv i Hamburgut, apostull i Skandinavisë.

Nesër, e hënë, është festa e Shën Eutikut, martir dhe e Shën Jozefit nga Leonessa, meshtar kapuçin. Liturgjia e festës na shtyn të meditojmë për faqen ungjillore, sipas të cilës në tokë pagane, në një nga qytetet e Dekapolit, njeriu i pushtuar nga djalli e njeh Jezusin si Birin e Hyjit, që me pushtetin e tij hyjnor e çliron nga pushteti i së keqes. Shikojmë, kështu, se mëshira e Hyjit shtrihet në skajet më të largëta të tokës.

Në festën e Shën Ages, që do të përkujtohet të martën, liturgjia na kujton gruan e sëmurë e vajzën e ringjallur, të cilat Jezusi i shëron e i kthen rishtas në jetë. Prej këndej kuptojmë sa e rëndësishme është të jemi gjithnjë të lidhur me Zotin përmes fesë.

Arrijmë kështu tek e Mërkura e përhime, me të cilën fillojnë Krezhëmt, që na përgatisin për Pashkë. Eshtë kohë pendese, kthimi në rrugën e Zotit, lufte kundër shpirtit të së keqes.

Të enjten, është festa e Shën Rikardit dhe e të lumit Piu IX papë. Na kujton se kush nuk dëshiron ta shkatërrojë jetën, por ta shpëtojë, duhet ta ndjekë Krishtin me çdo kusht. E të shkelësh mbi gjurmët e Zotit do të thotë jo vetëm të ngarkosh mbi shpinë kryqin, por edhe të ecësh me të, larg rrugëve në të cilat ecën bota.
 
Shën Jeronim Emiliani, themeleus i Somaskëve, pajtor i jetimëve e i të rinjve të braktisur dhe Shën Jozefina Bakita, virgjër, që do të festohen të premten, na kujtojnë se pesha e kryqit është rëndë, por jo e padurueshme. Njeriu që është i vetëdijshëm se ka përkrah Krishtin, e mbart këtë peshë me bindjen se rruga e mundimshme të çon në jetën e amshuar.
Shën Apolonia virgjër e martire, e cila do të kremtohet të shtunën – na nxit të reflektojmë mbi thirrjen që i bëri Jezusi Mateut: “Më ndiq!”. E Krishti nuk e ftonte për të ecur në rrugën e trishtimit, ndonëse duhet të braktiste gjithçka. Përkundrazi! Prandaj Mateu shtron një gosti të madhe, që i ngjet dasmës, para se t’i bindet urdhërit të Mësuesit për të ecur pas Tij në një rrugë të vështirë, por që të çon në gëzimin e pa mort.
  E diela e ardhshme është e para e Krezhmëve, që sivjet filluan më shpejt se vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.