2008-02-02 16:18:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(02.02.2008 RV)2 shkurt: Bazili hap mensën e parë për të varfërit
Bazili është njeri i mësuar. I lindur në një familje të kamur të Çezaresë, në Turqi, ka kryer studimet jashtë vendit të tij. Mund të kalojë një jetë të çkujdesur me miqtë… po e motra, Makrina, e mendon krejt ndryshe rrugën e të vëllaut: dëshiron me gjithë zemër që ai të zbulojë Hyjin e Jezusit. “A mund ta di ç’ka ky Zoti yt më shumë se të tjerët?” – e pyet një ditë Bazili, i mërzitur në kulm nga këmbëngulja e së motrës. Makrina i përgjigjet menjëherë me fjalët e Krishtit: “Atë që ia keni bërë vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua!”.
Bazili zhytet në mendime. E sa më shumë mendon, aq më shumë e kupton revolucionin që bëri Jezusi. Në se t’u shërbesh të tjerëve, do të thotë t’i shërbesh Hyjit, atëherë Hyji i Jezusit duhet të jetë krejt i ndryshëm nga të tjerët. E të besosh në Të, do të thotë të bësh shumë gjëra konkrete për njerëzit
E kështu vendos të ndjekë Jezusin. Bëhet meshtar e themelon një urdhër, i cili vijon të tërheqë shumë murgjër lindorë, që dëshirojnë t’u qëndrojnë më pranë nevojtarëve e njëkohësisht, t’i bindin të pasurit se duhet të sillen ndryshe me të varfërit. Në dimrin e tmerrshëm të vitit 368 banorët e Çezaresë po vdisnin nga uria. Bazili i mbledh gjithë të uriturit: burra e gra, fëmijë e pleq. Grumbullon një sasi të madhe barishtesh, i zien në kazane të mëdhenj e pastaj ua ndan me dorë të vet të gjithëve.
Kur bëhet, ipeshkëv, vijon ta dënojë me forcë pabarazinë shoqërore, egoizmin e të pasurve e shfrytëzimin e të varfërve
U thotë: “Rezerva e bukës sate i përket të varfërit. I përket të zhveshurit manteli yt, që po ta bren molja në baule. Atij që është zbathur, këpucët që të myken në arkë. Të varfërit, paratë që i fsheh ndër vrimat e minjve. Njerëzit që i bën të vuajnë janë po aq shumë, sa ata që do të mund t’i ndihmoje!”.
Duke përdorur gjithë mençurinë, gjithë aftësinë e tij krijuese e gjithë ç’kishte në shërbim të të varfërve, arrin të ndërtojë një qytet, i cili quhet menjëherë me emrin e tij: Baziliade, dmth qyteti i Bazilit. E ndërton rreth e përqark shtëpisë së lutjes, për të treguar se Zoti është zemra e qytetit. Në qytet ndërton shtëpi pritjeje për të huajtë e shtegtarët, strehë për pleqtë, një spital me një repart të posaçëm për sëmundjet ngjitëse e banesa për punojësit e shërbimit.Mensat për të varfërit, karitaset, shokët e Emausit, janë që të gjitha vepra të ngritura duke ndjekur shembullin e Bazilit, njeriut që Krishti e kishte çuar të ngushëllonte njerëzimin e vuajtur në shekullin IV.







All the contents on this site are copyrighted ©.