2008-02-01 19:28:30

Pas 70 vjetësh, vizita e parë "ad Limina" e ipeshkvijve të Ukrainës. Papa i fton të nxisin "ekumenizmin e dashurisë"


(01.02.2008 RV)RealAudioMP3 Pas mëse 70 vjetësh, ipeshkvijtë greko-katolikë të Ukrainës erdhën në vizitë Ad Limina Apostulorum në Vatikan dhe u takuan sot me Papën Benedikti XVI, i cili i ftoi të promovojnë “ekumenizmin e dashurisë”, sepse “dialogu i dashurisë ndriçon edhe dialogun e së vërtetës”. Vizita e fundit nga kisha ukrainase është e vitit 1937.
Ipeshkvijtë kryesohen nga kardinali Ljubomir Husar, kryeipeshkëv i Kievit, i cili i paraqiti Atit të Shenjtë sfidat e kishës së dalë nga diktatura e gjatë komuniste, si azhornimi sipas Koncilit II të Vatikanit, ndikimi i kulturës perëndimore të shekullarizuar, drama e emigracionit, përtëritja shpirtërore, morale dhe strukturore e bashkësive të krishtera dhe vuajtja për ndarjen e të krishterëve brenda vendit. Kujtojmë se kisha e ritit lindor u shkatërrua krejtësisht gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik, duke iu bashkangjitur ortodoksëve, të cilët kanë rit të ngjashëm, por nuk e njohin primatin e Papës. Edhe sot ka probleme për rikthimin e pronave të marra nga regjimi stalinist. Gjithashtu, katolikët në Ukrainë janë 3 milion, por të ndarë në dy rite e tri kisha: atë të ritit latin, të ritit bizantin dhe katolikët rutenë të ritit bizantin. Kardinali Husar i kërkoi Papës ta ngrejë rangun e kishës greko-katolike ukrainase në Patriarkat.
Papa i ftoi ipeshkvijtë e Ukrainës të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrin e të kujdesen në mënyrë të veçantë për formimin e meshtarëve:
I inkurajoni (meshtarët), të nderuar Vëllezër, në iniciativat e ndryshme të azhurnimit që të mos ndjekin modën e botës, por t’i ofrojnë shoqërisë ato përgjigje që vetëm Krishti mund t’i japë… Për këtë duhet një përgatitje e përshtatshme intelektuale dhe shpirtërore, që presupozon formim të përhershëm, filluar në seminare, ku është e nevojshme të kujdeseni gjithnjë për disiplinën dhe jetën shpirtërore, e vazhduar pastaj gjatë viteve të shërbimit meshtarak.
Edhe më pas, Ati i Shenjtë foli për formimin e rregulltarëve dhe të rregulltareve. Është detyrë e ipeshkvijve, theksoi Papa, t’u kujtojnë atyre besnikërinë ndaj kushteve të varfërisë, pastrisë dhe bindjes me fe ungjillore, në mënyrë që të japin me të vërtetë atë dëshmi që u kërkon bota. Benedikti XVI uroi që katolikët e konfesioneve të ndryshme të jenë më të bashkuar, më në “sintoni zemrash”, siç tha Papa:
Jam i sigurtë, se me një predispozicion të tillë të brendshëm, mund të shërohen më lehtë plagët e keqkuptimeve, me vetëdijen se të dyja ritet bëjnë pjesë në të njëjtën Bashkësi Katolike… Në këtë dritë, duket e nevojshme, të nderuar Vëllezër, që të takoheni rregullisht, për shembull një herë në vit, me Ipeshkvijtë latinë.
Përsa i përket dialogut ekumenik me ortodoksët, Papa vuri në dukje vështirësitë që ekzistojnë, por i ftoi ipeshkvijtë ukrainas të mos e humbin shpresën. Pastaj një këshillë:
Gjithsesi, ajo që duhet nxitur është ekumenizmi i dashurisë, i cili rrjedh drejtpërdrejt nga Urdhëri i ri i lënë nga Jezusi për dishepujt e vet. Dashuria e shoqëruar nga gjeste koherente krijon besim, bën që të hapen zemrat e sytë. Dialogu i dashurisë e i bamirësisë, për natyrën e vet, nxit dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: në fakt, në të vërtetën e plotë do të realizohet takimi përfundimtar drejt të cilit na udhëheq Shpirti i Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.