2008-02-01 19:24:38

Papa në Seminarin e Madh Romak: Bëhuni meshtarët që pret populli i Zotit


(01.02.2008 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI vizitoi sot Seminarin e Madh Romak, me rastin e Festës së Zojës së Shpresës, Pajtore e Institutit të themeluar në vitin 1565. Me të mbërritur, Ati i Shenjtë u lut në Kapelën kushtuar Zojës e më pas, mori pjesë në Lutjet Mbrëmësore, në praninë e Bashkësisë së Seminarit dhe të prindërve të seminaristëve. Seminari i Dioqezës së Romës frekuentohet aktualisht nga 117 seminaristë, 18 prej të cilëve nuk janë italianë.
Zoja e Shpresës u bë spiranca në të cilën u kap Papa gjatë gjithë homelisë, për t’u kutjuar seminaristëve, por edhe prindërve të tyre, se sa gëzim i madh është të jesh i thirrur nga Ati Qiellor, për t’i shërbyer me përkushtim. Benedikti XVI u përmendi prindërve të gjitha ato pyetje, që ata i kanë bërë vetes dhe bijve, kur këta të fundit kanë vendosur të shkojnë në seminar e kanë ndjerë thirrjen për të ndjekur Krishtin e për t’u bërë meshtarë. Janë pyetje që shprehin nganjëherë shqetësimin për fatin e bijve, nganjëherë çudinë se si kanë lënë mënjanë perspektiva të ndritshme për të zgjedhur rrugën e seminarit, nganjëherë kuriozitetin se cilat janë ato drita të brendshme që ua kanë orientuar mendjen e zemrën. Të tilla pyetje e meditime, shpjegoi Papa duke bërë një paralelizëm të bukur për prindërit, bënte edhe Zoja për Birin e saj, Jezu Krishtin. Kjo eksperiencë, u tha Benedikti XVI prindërve, iu ka përforcuar në fe e iu ka bërë pjesëmarrës të aventurës së mrekullueshme të bijve:
Në fakt, edhe nëse mund të duket sikur jeta e meshtarit nuk tërheq interesin e shumicës së njerëzve, në të vërtetë është aventura më interesante dhe më e nevojshme për botën, aventura për të treguar e për ta bërë të pranishme plotësinë e jetës, drejt së cilës aspirojnë të gjithë. Është një aventurë shumë kërkuese; e s’mund të jetë ndryshe, sepse meshtari është i thirrur të imitojë Jezusin, “që s’erdhi për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mt 20,28).
E duke përshkruar jetën e seminarit, Papa nënvizoi dy aspekte që karakterizojnë përvojën, që bëjnë seminaristët gjatë formimit të tyre:
Para së gjithash, vitet e seminarit përbëjnë një lloj shkëputjeje nga jeta e zakonshme, një lloj “shkretëtire”, që Zoti të mund t’u flasë zemrave tuaja (cfr Os 2,16). Me të vërtetë, zëri i tij nuk është i zhurmshëm, por i ulët, është zëri i heshtjes (cfr 1 Re 19,12). Që të dëgjohet kërkon pra një klimë heshtjeje.
Për këtë, vazhdoi Benedikti XVI, Seminari ofron hapësira dhe kohë për lutjen e përditshme; kujdeset shumë për liturgjinë, meditimin e Fjalës së Zotit dhe për adhurimin eukaristik. Njëkohësisht, u kërkon seminaristëve t’i kushtojnë orë të gjata studimit. Kështu, duke u lutur e duke studiuar, ata mund të bëhen ata meshtarë që kërkon populli i Zotit. Ati i Shenjtë kaloi në aspektin e dytë të jetës së seminarit:
…gjatë viteve të Seminarit, ju jetoni sëbashku; formimi juaj si meshtarë përmban edhe këtë aspekt bashkësie, që është me rëndësi të madhe. Apostujt u formuan sëbashku, duke ndjekur Jezusin.
Papa nënvizoi se edhe veprimtaria e seminaristëve si meshtarë në të ardhmen do ta kërkojë me forcë këtë element bashkimi: bashkim ndërmjet tyre e me ipeshkvin. Benedikti XI i këshilloi:
Duajeni këtë “jetë familjare”, që për ju është pararendëse e asaj “vëllazërie sakramentore” që duhet të karakterizojë çdo presbiter dioqezan… Që tani, shenjtëria duhet të jetë obiektivi i çdo zgjedhjeje dhe vendimi.
Ati i Shenjtë u tregoi seminaristëve edhe rrugën më të drejtë për ta përjetuar përvojën e seminarit dhe i këshilloi prindërit e miqtë t’i ndihmojnë të dashurit e tyre me gjithë shpirt, që të bëhen meshtarë të denjë. Ja fjalët e vlefshme për çdo seminarist, me të cilat Papa e mbylli homelinë e tij:
Të dashur seminaristë, përshkojeni rrugën e Seminarit me shpirtin e hapur ndaj së vërtetës, transparencës, dialogut me ata që ju udhëheqin e kjo do t’ju lejojë t’i përgjigjeni thjesht e me përvujtëri Atij që ju thërret, duke u çliruar nga rreziku i realizimit vetëm të planit tuaj personal. Ju, të dashur prindër dhe miq, shoqërojini seminaristët me lutje dhe me mbështetjen tuaj të vazhdueshme materiale dhe shpirtërore.
Pas Lutjeve Mbrëmësore, Papa Benedikti XVI qëndroi për darkë me Bashkësinë e Seminarit të Madh Romak.








All the contents on this site are copyrighted ©.