2008-01-31 17:58:34

Tadiç në ballotazh pa Koshtunicën: "Nuk do të heqim dorë nga Kosova, por jo me luftë"


(31.01.2008 RV)“Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova”, por do të mbrojë të drejtat e veta pa luftë. Kështu pohoi sot, presidenti serb Boris Tadiç, gjatë një vizite në Crnicë të Kosovës, enklava më e vogël serbe në vend. Nuk do ta pranoj kurrë pavarësinë e Kosovës, deklaroi Tadiç, fitorja e të cilit në ballotazhin e së dielës është tepër e dyshimtë. Në fakt, mbrëmë, partia e kryeministrit Vojisllav Koshtunica vendosi që të mos e mbështesë atë në garën me kandidatin ultranacionalist, Tomisllav Nikoliç. Në të vërtetë, nuk do të mbështesë as këtë të fundit, por votat e përkrahësve të Koshtunicës konsideroheshin vendimtare për fitoren e Tadiçit.
Ndërkaq, krejt rajoni i Ballkanit përgatitet për atë që do të ndodhë në Kosovë. Vetë kryeministri kosovar Thaçi u takua sot me përfaqësues të policisë dhe të Trupave të Mbrojtjes Civile të Kosovës, pasi diskutoi dje me kreun e KFOR-it dhe me atë të UNMIK-ut për planin e parandalimit të destabilizimit të vendit. Bullgaria gjithashtu, mblodhi dje Këshillin e vet të Sigurimit, por kryeministri dhe autoritetet e tjera nuk u prononcuan mbi qëndrimin e Sofies në rastin e shpalljes së pavarësisë. “Duhet të kemi parasysh se Kosova është 45 km larg nga Bullgaria në linjë ajrore, se ne kemi 350 km kufi të përbashkët me Serbinë dhe se në Serbi jetojnë shumë bashkësi bullgare”, nënvizoi kryeministri Stanishev. Nga Helsinki, Ministria qipriote e Punëve të Jashtme ripohoi sot se asgjë nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e Qipros kundër pavarësisë së Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.