2008-01-31 18:01:35

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(31.01.2008)RealAudioMP3 31 janar: Agostini, intelektuali i madh, që i braktisi kënaqësitë e botës, për të ecur në rrugën e shenjtërisë.
I përkulur mbi shkritore, Agostini i Iponës përfundon veprën kryesore. “Konfesionet’ – apo ‘Rrëfimet’. S’është tjetër, veçse historia e jetës së tij. E si e përfundon, rifillon ta lexojë. I duket sikur ka jetuar dy jetë, krejt të ndryshme: njërën para vitit 386 e tjetrën pas këtij vitit, kur më në fund gjeti Zotin.
Agostini lindi në vitin 354 në Numidi, në jug të Algjerisë së sotme. Është i pajisur me inteligjencë të jashtzakonshme, prandaj familjarët e dërgojnë për të studiuar në Kartagjenë të Tunizisë. Djaloshi i pasur e adhuron këtë qytet, ku spikat menjëherë mbi të gjithë miqtë. Nis ta gëzojë plotësisht jetën: përfiton nga çdo rast që i del përpara, për të plotësuar dëshirat, pa kurrfarë freri. Zbulon gëzimet e dashurisë, luan teatër, merr pjesë në lojrat e cirkut e në mbledhjet e sektit të manikejve. Këta të fundit janë njerëz tepër të fuqishëm: besojnë se në botë ndeshen dy forca: e mira dhe e keqja, në luftë të përjetshme me njëra-tjetrën. Agostini ndjek rrugën e tyre, duke i shkaktuar një pakënaqësi të papërshkrueshme s’ ëmës, Monikës, që shqetësohet thellësisht për rrugën e rrezikshme, në të cilën ka nisur të ecë i biri. Monika është shumë besimtare e lutet shpesh për shëlbimin e tij, por i duhet të durojë, e shumë madje…
Agostini vijon të kërkojë nderime e lavdi. Shkon në Romë e më pas në Milano, ku pritet me ngrohtësi të veçantë në oborrin mbretëror. Nis punën si profesor. E kjo e kënaq. Megjithatë dalë-nga-dalë e ndjen vetën të lodhur nga një jetë e tillë e çkujdesur e nga sekti i manikejve, i cili nuk është më në gjendje t’i japë përgjigje pyetjeve që e shqetësojnë. E pikërisht në këtë kohë nis jeta e dytë e Agostinit.
Gjithçka zë fill nga takimi me ipeshkvin e Milanos, Ambrozin. Pak nga pak ipeshkvi arrin t’ia hapë zemrën Agostinit. Disa ditë më pas, kur Agostini lexon Letrat e Shën Palit, preket rrufeshëm nga hiri: gjen atë që kërkonte. Në vitin 387 merr Pagëzimin. Zoti i ka parë lotët e s’ëmës, ia ka dëgjuar lutjet. Agostini braktis jetën e çkujdesur dhe karrierën e shkëlqyer, për të themeluar një kuvend, ku nis të kalojë një jetë asketike. Katër vjet më pas emërohet ipeshkëv i Iponës, një qytet pranë vendlindjes së tij. Larg qetësisë së kuvendit, shpenzon shumë kohë e energji për të thelluar unitetin në Kishën afrikane.
Megjithëse i duhet të merret me shumë probleme praktike, mbetet intelektuali më i madh i krishterë i të gjitha kohërave. Gjatë jetës së tij shkroi vepra të ndryshme për t’iu përgjigjur pyetjeve të të krishterëve. Shkrimet e Shën Agostinit janë edhe sot e kësaj dite një pikëmbështetje e rëndësishme për Kishën katolike dhe besimtarët e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.