Papa në audiencën e tretë të përgjithshme kushtuar Ipeshkvit të Iponës: “Shën Agostini,
model ideal për ‘lidhjen ndërmjet fesë e arsyes”.
(30.01.2008 RV)“Model
në lidhjen e fesë me arsyen”: ky është shtegtimi intelektual e shpirtëror i Shën Agostinit”
– shpjegoi Benedikti XVI sot paradite, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme,
mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Papa, që do t’i kushtojë edhe një katekizëm
të katërt, javën e ardhshme, Atit të madh të Kishës, sot, duke u ndalur tek tema e
pendimit, vuri në dukje se Ipeshkvi i Iponës na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron
t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Kërkonte një fe, që të ishte shprehje
e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga
feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht e bëri të mos
kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin
zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep jetë. Ky kërkim – shpjegoi
Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, Anaba e sotme e Algjerisë
– në sintezën ndërmjet fesë e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet
të ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të
shkojnë krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini
në veprën ‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e
Hyjit”. “Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane,
që përmbledhin pikëarritjen e Atit të Kishës, i cili jetoi ndërmjet shekullit të katërt
e të pestë. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe
për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për
të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijoi Papa - na bind sidomos
se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës,
aq edhe pranë arsyes së tij: “Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht
misterioze, mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil
jashtë vetvetes – pohon Agostini – por kthehu tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes
banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten…
syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë…
në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për
vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të
themi se largimi nga Hyji është largim nga vevetja”. Më pas Papa kujtoi reflektimet
e mëdha të Shën Agostinit mbi jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit
të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e
thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi
ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e
mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek
vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. “Njeriu është qenie
shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit
‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot - tha Papa - duke theksuar atë që vë në
dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që
mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa foli edhe për konceptin e
Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një
Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se pikërisht kësaj
teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit në teologji.
Benedikti XVI e përfundoi audiencën duke kujtuar Letrën Apostolike të Gjon Palit
II kushtuar Shën Agostinit “Augustinum Hipponensem” shkruar në vitin 1986,
me rastin e gjashtëqind vjetorit të kthesës së Shenjtit. Për Papën Vojtila, Agostini
i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston. Benedikti
XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë ipeshkvijve të ardhur në Romë me rastin
e 40-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit dhe i nxiti të rinjtë të
ecin në gjurmët e Shën Gjon Boskut, festa e të cilit bie nesër, duke e parë si mësues
të vërtetë jete.