Benedikti XVI e ngre Kishën greko-katolike të Sllovakisë në rangun e Kishës metropolitane
“sui iuris”.
(30.01.2008 RV)Benedikti XVI e riorganizoi Kishën greko-katolike sllovake,
duke e bërë Kishë metropolitane “sui iuris” e duke marrë masat e nevojshme edhe për
riorganizimin e hjerarkisë përkatëse kishtare.Kujtojmë se Kisha metropolitane ‘sui
iuris’ ndryshon nga provinça kishtare latine në këndvështrimin organizativ e funksional.
Ajo, me heparkitë, klerin, rregulltarët e besimtarët e saj përbën një Kishë, e cila
ruan trashëgiminë e vet liturgjike, teologjike, shpirtërore e disiplinore, dmth ‘ritin’
e vet tradicional. E kryeson një metropolit i emëruar nga Papa i cili, brenda trojeve
të metropolisë, ka autoritet mbi të gjithë ipeshkvijtë, klerin, rregulltarët dhe besimtarët
e tjerë të së njëjtës Kishë. Sot numrohen tri kisha metropolitane ‘sui iuris’: Kisha
etiopike, rutene ukrainase e sllovake.