2008-01-30 18:51:18

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(30.01.2008 RV)RealAudioMP3 30 janar: Pakomi, murgu i parë i historisë.
“Më trego rrugën që çon te Zoti”, i tha djali i ri udhërrëfyesit të vet. Ky i fundit nuk hapi gojë. E dinte se udha për në Tabenesi, në Egjiptin e Epërm, ishte tepër e gjatë. E përreth s’dukej tjetër, veç shkretëtirës pa kufi. Një det rëre e gurësh, që përvëloheshin nën rrezet e zjarrta të diellit. Udhërrëfyesi donte t’i kursente forcat. Nuk ishte i krishteri i parë, të cilit i printe drejt katundit të humbur, ku Pakomi kishte themeluar një kuvend, një kapelë e disa ndërtesa të tjera. Murgjërit e shumtë, që ishin vendosur aty, mblidheshin së bashku dy herë në ditë, për lutjet e për të ngrënë. Kohën tjetër e kalonin duke punuar, pa e ngritur kokën për asnjë çast.
“Atëherë, edhe ti dashke të shkosh te Pakomi?” – e pyeti udhërrëfyesi djaloshin në ndalesën e parë.
“Pse? E njeh?”.
“Edhe unë, ashtu si ti, vij nga Teba, në Egjiptin e Epërm. Historinë e tij tashmë e njohin të gjithë banorët e qytetit. Ishte vetëm njëzet vjeç, kur u takua me atë, që ju e quani Krishti. Që atë çast vendosi të lagohej nga ushtria romake e të shkonte për të jetuar fillikat në shkretëtirë.
“Vetëm?” – u çudit djaloshi.
“Po, po, fare vetëm. Vonë e herë vendosi të bashkohej me vëllezërit e tjerë”.
Udhërrëfyesi ngurroi një çast e pastaj pyeti:
“Pse disa nga ju kërkojnë vetminë? Unë s’do të mund ta duroja kurrë një jetë të tillë”.
“Për të gjetur Zotin, duhet të shqyrtosh vetveten në heshtje të plotë” - u përgjigj djaloshi i krishterë. Heshtja të ndihmon ta dëgjosh zërin e Zotit. Por ka edhe një arsye tjetër: të krishterët e parë dhanë jetën për Krishtin, pranuan të torturohen, të martirizohen, të vdesin me dhimbje të papërshkrueshme, heroikisht. Kurse ne duhet të jetojmë heroikisht. Nuk e di cila është më e lehtë: vdekja apo jeta e mundimshme, në emër të Krishtit”.
“Në se të krishterë quhen ata që e mundojnë kështu vetveten, atëherë larg tyre. As që më shkon nëpër mend të bëhem i krishterë”.
Heshtën një copë herë. Dëgjoheshin veç hapat që humbisnin në rërë. Dielli përvëlonte e buzët u ishin bërë shkrumb. I kaluan atëherë njëri-tjetrit shtambën me ujë e, si njomën buzët, djaloshi i krishterë vijoi:
“Nuk është e domosdoshme të jetosh në vetmi ose në kuvend, për të qenë i krishterë. Këto janë dy mënyra jetese. Por ka edhe mënyra të tjera. Edhe ti i shërben Zotit: na çon tek Ai nëpër shkretëtirën e përvëluar. Gjëja kryesore që duhet të bëjë i krishteri, është të dojë Zotin e të afërmin”.
“More, po unë nuk arrij as ta kuptoj sesi njeriu, me mend në kokë, shkon e mbyllet në një qelë e e kalon gjithë jetën në heshtje, i vetëm” – ngul këmbë udhërrëfyesi.
“Vetmia është një provë, por edhe të jetosh mes njerëzve nuk është aspak e lehtë. Feja jonë bazohet mbi respektin për të tjetrët. Po të tjerët mund të jenë njerëz nga më të ndryshmit, mund të të shqetësojnë, mund të dëshirosh të ikësh prej tyre nga sytë këmbët. Po ti, sido që të jenë, duhet t’i durosh për hatër të Krishtit”.
“Atëherë edhe ti dashke të bëhesh shenjt!” – ia ktheu tjetri.
“Dua të njoh Zotin” – u përgjigj i vendosur djaloshi.
Udha ishte ende e gjatë e Tabenzi, larg.U ngritën e u nisën duke ecur me mundim nëpër shkretëtirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.