Reagime pas mos nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit ndërmjet Serbisë
dhe BE-së
(29.01.2008 RV)Serbia reagon në dy mënyra të ndryshme ndaj mos nënshkrimit
të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, vendim që u mor dje
në Bruksel. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç deklaroi sot se shpreson që serbët
të votojnë të dielën për “rrugën evropiane”, në mënyrë që më 7 shkurt të nënshkruhet
marrëveshja me Brukselin. Ndërsa ultranacionalisti Tomislav Nikoliç e ka akuzuar qeverinë
aktuale për dështim në politikën e saj evropiane. Po sot, edhe Moska është shprehur
kundër misionit evropian në Kosovë, duke e quajtur atë të jashtëligjshëm. Kurse Shqipëria,
nëpërmjet kryeministrit Berisha, bën të ditur se ka gati një plan masash për të bilancuar
çdo lloj embargoje apo bllokimi që mund të ndërmarrë Beogradi, në rastin e shpalljes
së pavarësisë së Prishtinës. Ndërkaq, Hollanda ka përsëritur edhe sot, nëpërmjet
ministrit të saj të jashtëm, se nëse Serbia nuk dorëzon kriminelët e luftës në Gjykatën
e Hagës, vendi do të kundërshtojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.
Krejt haptas, ministri Maksim Ferhagen tha se “evropianët i kanë dhënë dorën Serbisë.
Varet nga serbët ta shfrytëzojnë atë të dielën”. Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm
kandidatin europeist për president, Boris Tadiç.