2008-01-29 18:50:27

Imzot Klaudio Çeli: “Çasti më i fortë i përgatitjes për Krezhëm, është ai që jetova në Shqipëri më 1991”.


(29.01.2008 RV)RealAudioMP3 Duke folur të shtunën e kaluar në Grotaferrata, pranë Romës, në paraqitjen e librit “Dy vëllezër martirë”, të rregulltares baziliane, Elena Lulashi, imzot Klaudio Maria Çeli, Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, pohoi se çasti më i fortë i përgatitjes së tij për Krezhëm, ishte ai që jetoi në Shqipëri më 1991.
Ja si e kujtoi këtë çast Imzot Çeli, 17 vjet më vonë, në atmosferën e Krezhëmve 2008:
 
“Sonte duhet t’ju shpjegoj pse pranova të vij këtu e, kush më ftoi, e di se përgjigja ime ishte menjëherë pozitive. E kjo, sepse vizita që bëra në Shqipëri më 1991 ishte një përvojë e paharrueshme. Jemi akoma në periudhën e regjimit të vjetër. Na kishte ftuar qeveria e më takoi mua, që asokohet isha zëvendës-sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me jashtë, të nisem në Tiranë për të biseduar me autoritetet. Ishte data 20 mars 1991. Emocionant çasti kur avioni preku tokën në aeroportin e Tiranës, që nuk quhej akoma Nënë Tereza, sepse Nënë Tereza ishte gjallë e kishte dalë të na priste. Së bashku me ministrin e jashtëm të Shqipërisë.
E filluam kështu këtë vizitë në Shqipëri. Kisha për detyrë të dialogoja me qeverinë, por kryesisht të shikoja me sytë e mi, si përfaqësues i Selisë së Shenjtë e i Papës – ç’kishte shpëtuar pas viteve të gjata të persekutimit që pësoi Kisha shqiptare. Gjëja e parë që bëmë, ishte nisja për Shkodër. Emocion i paharrueshëm. Gjetëm të vetmin ipeshkëv që kishte mbetur ende gjallë dhe 11 meshtarë, në një gjendje të vajtueshme fizike: të sëmurë, mes vështirësish të pabesueshme. U takuam. Së pari fola me të gjithë së bashku, pastaj me ipeshkvin e pastaj 15 minuta me secilin, një për një.
Dëgjova histori të dhimbshme, histori vuajtjesh të tmerrshme, por edhe histori dëshmish të ndritshme, histori martirizimi; e kujtoj se martirizim do të thotë pikërisht dëshmim.
Më pyetën: “Ç’dëshironi të bëni pasdite?”. U përgjigja se dëshiroja të kremtoja Meshën Shenjte, në Katedralen që ishte kthyer në pallat sporti. Natyrisht që nuk kishte lter, e anët ishin zënë me shkallë prej betoni. Ata u përgjigjën: “Po njerëzit nuk dinë gja për këtë Meshë”. E unë: “Përpiquni, pra, ta përhapni lajmin në të gjithë qytetin!”. E nuk mund ta përfytyroni ç’ndodhi: kisha u mbush aq, sa nuk mund të zinte më asnjë njeri. Meshtarët nuk ishin në gjendje të bashkëkremtonin. Atëherë më thanë: më mirë po shohim Meshë. E unë e fillova kremtimin me një përkthyes. Kështu më duhej të ndalohesha çdo minut e të prisja që përkthyesi të shqipëronte fjalët e mia. Isha ende në fillim, kur besimtarët nisën të bërtisnin: italisht, italisht! Ishin detyruar ta mësonin sadopak italishten, për të marrë vesh, fshehurazi, përmes mjeteve të komunikimit, edhe ato të ndaluara, ç’bëhej në botën e krishterë e, sidomos, për të ndjekur Papën.
Para se të fillonte Mesha, hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë ças, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një ças kaq të pritun, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!
Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më dilte nga zemra, pa patur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!” E njerëzit qanin me lot për faqe.
Kujtoj se për mua ky ishte çasti më i fortë i përgatitjes sime për Krezhëm, sepse prekej me dorë besnikëria e këtyre njerëzve për Krishtin Zot e për Kishën e Tij. Më falni në se emocionohem përsëri nga ky kujtim, që mbeti i pashlyer në zemrën time.
Njerëzit më shtrëngonin dorën e më thoshin: “Kur të ktheheni në Romë, mos harroni t’i thoni Papës se i kemi qëndruar besnikë”. E libri që po paraqesim sonte, flet pikërisht për një pjesë të rrugës që bëri ky popull, për vuajtjen e këtij populli e sidomos, për dëshminë e shkëlqyer të tij.
Pastaj u kthyem në Tiranë. Udhëtonim me një makinë të vjetër të qeverisë e, në sa kalonim rrugës, kishte nga ata që më përshëndetnin duke ngritur grushtin. S’më kishte ndodhur kurrë të më përshëndetnin në këtë mënyrë! Ndërsa të rinjtë ngrinin lart dy gishtrinj në formë v-je, për të uruar fitoren.Me këtë urim u riktheva në Romë për t’i treguar Papës ç’kisha parë e ç’ kisha dëgjuar në Vendin e rrethuar ende nga perdja e hekurt, në shembje e sipër.







All the contents on this site are copyrighted ©.