2008-01-28 17:51:20

Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: “Risia e mesazhit të Krishtit është: Hyji në Të u bë i afërt me ne”.


(28.01.2008 RV)RealAudioMP3 “E reja që solli mesazhi i Jezusit është se Hyji u bë i afërmi ynë e se mbretëron tashmë mes nesh”: janë fjalët me të cilat Benedikti XVI u shpjegoi liturgjinë e ditës shtegtarëve të shumtë, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Ndërmjet tyre, mijëra fëmijë e të rinj të Veprimit Katolik të Romës, që kishin ardhur në përfundim të nismës “Muaji i paqes”. Dy prej tyre, të pranishëm në apartamentin papnor, lëshuan nga dritarja, së bashku me Atin e Shenjtë, pëllumbat e bardhë të paqes.
“Me fillimin e misionit publik të Krishtit, Mbretëria e Hyjit u bë e afërt, madje tashmë erdhi mes nesh” – këtë nënvizoi Benedikti XVI – duke u ndaluar tek liturgjia e së dielës së tretë të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, përqëndruar tek fillimi i predikimit të Jezusit në Galile. Një vend periferik – shpjegoi Papa – por të cilit Izaia profet i pati parafolur një ardhmëri të lavdishme. Ky vend do të shihte një dritë të madhe, atë të Krishtit e të Ungjillit të Tij. Pikërisht termi ‘ungjill’ - vijoi Benedikti XVI - përdorej nga perandorët romakë për shpalljet e tyre. Por tani – nënvizoi Shenjtëria e Tij – Lajmi i Mirë merr një kuptim rrënjësisht të ndryshëm:
“Përdorimi i kësaj fjale në predikimin e Jezusit mori një kuptim fuqimisht kritik. Ishte një lloj si të thoshe: “Hyji, jo perandori, është Zoti i botës, e ungjilli i vërtetë, është ai i Jezu Krishtit”.
Pra mund të themi se Lajmi i Mirë, i shpallur nga Jezusi, mund të përmblidhet kështu: “Ai që mbretëron, është Hyji; Hyji është Zoti e mbretëria e tij është mes nesh, po bëhet realitet.
“E reja e lajmit të ri të Krishtit është se Hyji në Të u bë i afërt, mbretëron tashmë mes nesh, siç e dëshmojnë mrekullitë dhe shërimet që kryen. Hyji mbretëron në botë përmes Birit të tij që u bë njeri e, me forcën e Shpirtit Shenjt, quhet ‘gishti i Hyjit’.
Atje ku shkon Krishti – vijoi Papa – Shpirti krijues çon jetën e të gjithë njerëzit shërohen nga sëmundjet e korpit e të shpirtit. Sundimi i Hyjit shfaqet në shërimin e plotë të njeriut:
“Me këtë Jezusi dëshiron të na tregojë fytyrën e vërtetë të Hyjit, të Hyjit që është afër, plot me mëshirë për çdo njeri; Hyjit që na dhuron jetë nga vetë jeta e tij. Mbretëria e Hyjit është jeta që ngadhënjen mbi vdekjen, drita e së vërtetës, që davarit errësirën e padijes e të gënjeshtrës”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, të pranishmit jetuan një çast vërtetë të gëzueshëm, kur nga dritarja e bibliotekës private të Atit të Shenjtë nisën fluturimin drejt qiellit dy pëllumba të bardhë, simbol i paqes. Para lëshimit të pëllumbave, një vajzë foli në emër të të gjithë të rinjve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit:
“I dashur Papë, nga ti mësojmë ç’do të thotë të jesh vërtetë veprimtar i paqes në jetën e përditshme, të asaj paqeje, për të cilën brohorasim e lutemi në këtë ditë. Siç ke thënë në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, shumë re të zeza dynden mbi ardhmërinë e njerëzve e ne duam t’i themi mjaft një situate të tillë. Të falënderojmë, sepse ti mendon gjithnjë për ne, fëmijët, e të premtojmë se nuk do të harrojmë kurrë që në udhën e jetës, çfarëdo që të ndodhë, Jezusi ecën me ne. I dashur Papë, Veprimi Katolik i Romës të do shumë!”.
Gjithnjë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi vuajtjet e të gërbulurve, në Ditën kushtuar atyre, themeluar 55 vjet më parë nga Raul Folërò.
Benedikti XVI foli edhe për detyrën urgjente të edukimit të breznive të reja, për të cilat mendon vazhdimisht. Kujtoi prandaj, Letrën e tij, drejtuar të premten e kaluar dioqezës së Romës:
“Desha kështu të jap një kontribut të veçantë në formimin e breznive të reja, impenjim i vështirë e vendimtar për të ardhmen e qytetit tonë. Të shtunën, më 23 shkurt, do të takoj, në një audiencë të posaçme në Vatikan, të gjithë ata që, si edukatorë ose si fëmijë, adoleshentë e të rinj në formim, marrin pjesë drejtpëdrejtë në sfidën e madhe edukative, e do t’ua dorëzoj, simbolikisht këtë Letër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.