2008-01-26 11:56:47

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(27.01.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e tretë të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.U përkujtuan edhe Shenjtorët Angjela Meriçi, virgjër, themeluese e Orsolineve e Shën Vitaliani, papë.

Nesër, e hënë, është festa e Shën Tomës së Akuinit, meshtar domenikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se Zoti është besnik ndaj shërbëtorit të vet. Prandaj, të mos e kuptosh veprën shëlbuese të Jezusit e të arrish deri atje, sa ta ngatërrosh me veprën e së keqes, është shenjë e verbimit të plotë, që Jezusi e quan blasfemi kundër Shpirtit Shenjt.

Në festën e Shën Kostancit, ipeshkëv i Perugjës, dhe të Shenjtorëve Papia e Mauri, martirë, që do të kremtohen të martën, liturgjia na kujton se vullneti i Zotit është burim i të gjitha të mirave.

Kumtimi i shëlbimit u përket të gjithëve, pa kurrfarë dallimi. Edhe fara, dmth Fjala e Zotit, është e njëllojtë për të gjithë. Ndryshon vetëm mënyra e kuptimit të këtij kumtimi nga ana e shpirtit njerëzor, që mund të jetë i gatshëm ose jo për ta pranuar shëlbimin e për ta mbjellur farën e mirë në tokë pjellore. Ky është meditimi që na ofron liturgjia e festës së Shën Martinës martire, të mërkurën e ardhshme.

Të enjten, në festën e Shën Gjon Boskut, meshtar, themelues i salezianëve, atë e mësues i të rinjve dhe të Shën Marçelës romake, dishepulle e Shën Jeronimit, liturgjia vë në qendër të vëmendjes simbolin e kandilit, dmth të dritës. Na kujton kështu se dishepujt e Krishtit duhet të ecin nën dritën e mësimeve të Tij, në se dëshirojnë ta dallojnë të mirën nga e keqja.

 
Shën Ludovika Albertoni, vejushë romake e Shën Brixhida, abateshë në Irlandë, që do të festohen të premten, na kujtojnë se Mbretëria e Hyjit është mahnitëse. Ajo lind në zemrën e njeriut në mënyrë të pashpjegueshme, duke e bërë të lum, përmes lutjes, që është takim me Zotin.

Paraqitja e Krishtit në tempull (Zoja e qirave), që do të kremtohet të shtunën – na nxit të bashkojmë zërin me zërin e Psalmistit, në thirrjen: “Eja, o Hyj, në tempullin tënd shenjt!”. E tempulli i Hyjit nuk është më vetëm ai i popullit të Besëlidhjes së Vjetër. Tashmë i përket mbarë njerëzimit.

E diela e ardhshme, e kartëta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, i paraprin të Dielës së parë të Krezhmëve, që sivjet fillojnë më shpejt se vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.